Në mesin e emergjencës mjedisore të shkaktuar nga zjarret që kanë përfshirë brigjet e Egjeut dhe Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian përmes aktivizimit të mekanizmit të Mbrojtjes Civile, i ka ofruar Shqipërisë dy helikopterë për të mbështetur operacionet e shuarjes së flakëve.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përshëndetur ndihmën e dhënë ngë BE-ja, për situatën që është krijuar nga zjarret në vendin tonë.
Meta ka shkruar se reagimi i mekanizmit të Mbrojtjes Civile ishte i shumëpriture. Gjithashtu ai i ka shprehur mirënjohje Bashkimit Europian, për solidaritetin e treguar në këtë moment të vështirë për Shqipërinë.
“I shumëpritur aktivizimi i Mekanizmit të Mbrojtjes Civile nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, në kushtet e një situate tepër të rrezikshme të përballjes me zjarret.
Mirënjohje për solidaritetin dhe ndihmën e përhershme në momente kritike!”, shkruan Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Sjellim në vëmendje se vendi ynë prej ditësh është përfshirë nga flakët, ku ditën e djeshme agravuan dhe në zonat e banuara. Fatkeqësisht humbi jetën një person nga fshati Asim Zeneli në Gjirokastër, ndërsa gruaja e tij u shtrua në spital. Po ashtu situata paraqitet kritike në Karaburun, ku flakët janë afruar dhe po “kërcënojnë” parkun e Llogarasë. Ndërsa Ministria e Mbrojtjes pak më parë njoftoi se në të gjithë Shqipërinë janë lokalizuar 8 zona ku ka rënë zjarri.