Kryeministri i vendit Edi Rama, së bashku me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi kanë shkuar ditën e sotme në Liban, për operacionin e shpëtimit dhe riatdhesimit të 5 grave dhe 14 fëmijëve shqiptarë në kampi Al-Hol në Siri.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë ka siguruar se ditën e nesërme gratë dhe fëmijët do të sillen në Shqipëri, ndërsa shkruan se operacioni ishte shumë i ndërlikuar dhe u krye falë ndihmës së gjeneralit Abass Ibrahim.
“ 5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim”, shkruan kryeministri Rama.
Gjithashtu në një intervistë kryeministri Rama u shpreh se është i kënaqur me këtë operacion të tretë për shpëtimin e shqiptarëve nga kampet e ferrit, ndërsa theksoi se operacionet nuk do të ndalen.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
Beirut, Liban – Për operacionin e shpëtimit nga kampi i ferrit në Al Hol dhe kthimit të fëmijëve e grave të tjera në Atdhe. 5 gra dhe 14 fëmijë shqiptarë nga kampet e vdekjes në Siri, nesër në Shqipëri, falë një operacioni të gjatë e të ndërlikuar inteligjence në terren dhe ndihmës së paçmueshme të gjeneralit Abass Ibrahim.