Numri i infektimeve me Covid-19 në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. 70 raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit ndërsa 1 person ka humbur jetën. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një infografike të publikuar në faqen zyrtare.
Varianti Delta – Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, kanë bërë të ditur se rreth 90 për qind të rasteve të infektimit me koronavirus në Kosovë, janë të lidhura me variantin Delta të këtij virusi.
Sipas tyre, ky variant, sikur edhe në shumë vende të botës, është dominues edhe në Kosovë. Përveç variantit Delta, rreth 7-8 për qind e rasteve të infektimit janë me variantin Alfa, derisa në këtë shtet nuk ka prani të varianteve Beta dhe Gama.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka paralajmëruar për rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus, si pasojë e përhapjes së variantit Delta të këtij virusi. Sipas tij, arma e vetme kundër pandemisë, është vaksinimi.
“Sot kur vendi ynë ka vaksina për secilin qytetar, dhe kur qytetarët mund të zgjedhin vaksinën, dhe kur janë hequr kategoritë e vaksinimit, nuk ka arsye të vetme për të mos u vaksinuar”, ka thënë mes të tjerash ministri i Shëndetësisë, Vitia.