Pesë persona janë arrestuar dhe një shtetas tjetër është shpallur në kërkim pas operacionit “Xhamlliku” të zhvilluar një ditë më parë nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut. Ndërsa nga ky operacion janë sekuestruar 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.
Informacion- Finalizohet operacioni policor i koduar “Xhamlliku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë. Sekuestrohen 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular. Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër shtetas.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.
Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore , për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve G. K., T. Ç., A. G. dhe E. P., dhe për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në ngarkim të shtetasit G. C.