Dy persona janë arrestuar në qytetin e Lezhës, pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale. Një 25-vjeçar me iniciale N.GJ., është arrestuar pasi shiste lëndë narkotike në doza. Gjithashtu, është arrestuar një tjetër 25-vjeçar, pasi është kapur në Lezhë duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen” pa lejen e drejtimit.
Njoftimi i Policisë:
“Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 2 shtetas. Shërbimet e Policisë Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar punën dhe në lagjen “Gurra” , Lezhë, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin N. Gj., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Gj. P., 25 vjeç, banues në Adriatik, Kurbin, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin tip “Volksëagen”. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme”.