Rey Manaj vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Spanjë. Paraqitjet e sulmuesit shqiptar me Barcelonën në dy sfidat e para miqësore, që duhej të ishin të vetmet për të me ekipin A, tashmë mund të kenë vendosur qëndrimin e tij në radhët e skuadrës së parë te katalanasit.
Klubi blaugrana kërkonte ta shesë shqiptarin dhe vazhdon të mbajë ende këtë opsion, me kërkesat që shtohen ditë pas dite. Megjithatë, është shtuar edhe dëshira për ta mbajtur në klub Manajn, duke llogaritur se është një lojtar me cilësi, por edhe me një kosto të ulët që është e rëndësishme për katalanasit në kohë krize financiare që po kalojnë.
Sipas medias katalanase “Diario”, në listë përveç emrave të përmendur më parë si Cadiz, Famalicao, Sassuolo e Venezia, në garë kanë hyrë edhe klube gjermane, të cilat janë të gatshme të bëjnë lëvizjet e tyre për të siguruar firmën e sulmuesit kuqezi. Por për momentin, Ronald Koeman ka kërkuar që të bllokohet shitja e Manajt.
Laporta i ka bërë të qartë trajnerit Koeman se transferimi do të ishte i paevitueshëm me një ofertë prej rreth 5 milionë eurosh, por po shqyrtohet edhe mundësia e qëndrimit të tij, duke llogaritur se edhe me shitjen e Braithwaite e Griezzmann, në klub do ta kenë të pamundur të bëjnë shpenzime për afrime të tjera në repartin e avancuar.