Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka thënë se Kuvendi Kombëtar i PD tregoi se ku ndrshon nga PS apo i gjithë spektri politik shqiptar. Në një intervistë për Fax News, Zhupa komentoi edhe zërat kundër në Kuvend, duke thënë se kur ka garë të brendshme disa fitojnë dhe disa humbasin. Por Zhupa shprehet se ky nuk duhet të jetë fundi i marrëdhënieve me PD pasi ndryshon vetëm pozicioni i tyre në strukturat vendimmarrëse.
“Kuvendi Kombëtar i PD tregoi se sa shumë ndryshon PD nga PS apo edhe nga gjithë spektri politik shqiptar. Me këtë kongres ne treguam forcën tonë, bashkëpunimin, i shtrimë dorën shoqërisë për tu bashkuar të gjithë kundër regjimit dhe për të arritur ato rezultate, të cilat shqiptarët i kërkuan dhe për të cilat ata kanë nevojë. Për mua çdo anëtar i PD meriton të promovohet. Megjithatë kur ka një garë të brendshme ka gjithmonë disa emra që fitojnë dhe disa të tjerë që nuk e arrijnë dot këtë, por megjithatë kjo nuk mund të konsiderohet si fundi i marrëdhënies me Partinë Demokratike, përkundrazi të gjithë duhet të vijojnë të jenë kontribuues të kësaj force politike, sepse kjo ndryshon vetëm një pozicion në strukturat vendimmarrëse të PD”, tha Ina Zhupa.
Ajo konfirmoi se PD do të jetë në parlament në shtator dhe do mundohet të minimizojë masakrën që po bën Partia Socialiste me vendimet në dëm të qytetarëve.
“Ne jemi në çdo skaj të vendit. Beteja jonë do të vazhdojë edhe në parlament. Ne do të mundohemi të minimizojmë masakrën që po bën Partia Socialiste me vendimet e saj në dëm të vendit dhe do të jemi zëri i qytetarëve dhe do të mbrojmë interesat e tyre. Ne do të jemi në parlament, sepse parlamenti është një fushë-betejë e rëndësishme, të cilën ne kemi rastin tashmë që të bëjmë të gjitha propozimet, betejën tonë edhe për ndryshime të rëndësishme që prekin qytetarët shqiptarë”, deklaroi Zhupa.