Deputetja e Zgjedhur e Partisë Demokratike, Grida Duma me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se vendimi i Gjykatës së Strasburgut do t’i kushtojë çdo shqiptari 45 mijë lekë.
Duma ka bërë përgjegjës Edi Ramën, për dëmin ekonomik prej 110 milionë euro që do të paguajnë familjet shqiptare nga xhepat e tyre për biznesmenin italian, Francesco Becchetti. Gjithashtu ajo thotë se mjaftë kanë paguar shqiptarët për dëmet ekonomike të shkaktuar nga një pushtet i korruptuar deri në palcë.
Postimi i Dumës:
Edi Rama mund të përpiqet t’i fshihet të vërtetës, por nuk e zhbën dot atë.
Ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë për dëmin ekonomik prej 110 milionë euro që do të paguajnë familjet shqiptare nga xhepat e tyre.
Secili prej nesh, nga një i porsalindur deri tek çdo pensionisit, do të paguajmë 45 mijë lekë të vjetra.
Para këto, që mund të shkonin për shkolla, spitale, rrugë, për ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, për të blerë ushqime, por do të shkojnë për të dëmshpërblyer luftën personale të Ramës me median.
Shteti i kapur nga korrupsioni u përdor për këtë luftë personale, prandaj përgjegjësit e kësaj fature prej 110 milionë euro duhet të shkojnë para drejtësisë.
Mjaft kanë paguar shqiptarët për dëmet ekonomike të shkaktuara nga një pushtet i korruptuar deri në palcë.
Është koha të paguaj Edi Rama!