Vaksinimi i popullatës është objektiv kryesor për qeveritë në mbarë botën, pasi shihet si mënyra e vetme për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë që është shkaktuar nga virusi famëkeq, Covid-19. Ndërkohë, ajo që vihet në diskutim është edhe vaksinimi i adoleshentëve.
Profesori i Pediatrisë dhe Epidemiologjisë në Greqi, Theoklis Zaoutis, e ka cilësuar si një përshtypje të gabuar atë që është thënë vazhdimisht, se nuk ka rrezik të virusit tek fëmijët apo adoleshentët.
Në një deklaratë të tij për mediat, Zaoutis tha: “Ekziston një përshtypje se tek fëmijët apo edhe adoleshentët, nuk ka asnjë efekt të virusit. Kjo eshte një përshtypje e gabuar. Ne nuk i vaksinojmë të rinjtë për të mbrojtur të moshuarit, por i vaksinojmë që të jemi në gjendje të mbrojmë secilin individ dhe të tërë popullatën” ka thënë mes të tjerash profesori i Pediatrisë.
Aktualisht, janë 4 milionë raste pozitive të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara, si dhe 450 fëmijë kanë vdekur nga ndërlikimet e lidhura me COVID-19. Për të kuptuar se çfarë do të thotë kjo, ky numër është dyfishi i numrit të vdekjeve të fëmijëve në një periudhë të gripit sezonal shumë të rëndë. Pra, vaksinimi është i nevojshëm që këto shifra të mëdha fatalitetesh, të ulen gjithmonë e më shumë.