Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u shpreh se Serbia ka siguruar llojin e pestë të vaksinës kundër COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane “Moderna”. Vuçiç tha se dozat e kësaj vaksine, do të arrijnë në Serbi në muajin tetor.
Qytetarët serbë janë vaksinuar deri më tani me vaksina të siguruara nga Rusia dhe Kina, nga kompania amerikane “Pfizer/BioNTech”, si dhe ajo anglo-suedeze, “AstraZeneca”. Vuçiç tha se Serbia në këtë moment, ka 1.3 milionë vaksina kundër koronavirusit, të cilat janë në dispozicion për qytetarët.
Presidenti u bëri thirrje epidemiologëve që të marrin vendim, nëse qytetarët duhet të vaksinohen me dozën e tretë apo jo. “U bëj thirrje njerëzve që të vaksinohen, sigurisht do të na duhet të dimë nëse do të duhet edhe doza e tretë apo jo”, tha Vuçiç.
Ditë më parë, kompania farmaceutike “Pfizer” ka thënë se do të kërkojë nga autoritetet shëndetësore miratimin e dozës së tretë përforcuese. Kompania ka përmendur një rrezik në rritje të infeksionit gjashtë muaj pas imunizimit me dy doza, por nuk i ka ndarë ende të dhënat që tregojnë për atë rrezik. Vuçiç tha se në ditët në ditët në vijim, Instituti “Torlak” i Serbisë do të nxjerrë serinë e parë të vaksinës ruse Sputnik V.