76 oficerë të Forcave të Armatosura dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfunduan kurset e gradave në Akademinë e FA. Ushtarakët shqiptarë ndoqën për rreth 1 vit Kursin e Lartë të Oficerit dhe Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Në ceremoninë e diplomimit, ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral major Bajram Begaj, zv. shefja e SHP gjenerale majore Manushaqe Shehu, komandanti i AFA gjeneral brigade Albert Mullai, komandantë forcash etj.
Peleshi ndau me të pranishmit përshtypjet e mira që i kishte lënë përgatitja, profesionalizmi dhe niveli i ushtarakëve shqiptarë gjatë stërvitjes “Defender Europe 21”.
Më tej, Peleshi shpalosi planet për rritjen e mëtejshme të nivelit të arsimimit të ushtarakëve shqiptarë, duke marrë shembull një ndër akademitë ushtarake më prestigjoze të botës, West Point në SHBA.
“Dua të ndaj me ju ambicien tonë për t’i dhënë një dimension shumë të fortë Akademisë së FA në bashkëpunim me aleatët tanë në NATO e veçanërisht me partnerin tonë strategjik SHBA, me të cilët jo vetëm unë personalisht, por edhe vetë kryeministri në të gjitha takimet që ka patur me nivelet më të larta të NATO-s, por edhe Departamentit të Shtetit ka ngritur si kërkesë dhe si ftesë për bashkëpunim ristrukturimin dhe fuqizimin e Akademisë së FA.
Ajo çka ju intereson drejt për së drejti janë 4 kurset nivelit të lartë të cilat duam t’i ngremë gjithashtu në një nivel tjetër. Kemi formuluar ambicie që brenda 3 vitesh të hapen këto kurse dhe do duhen të jenë në anglisht. Duam t’i paketojmë kurset në një Kolegj të Mbrojtjes duam t’i japim përmasë rajonale.
Duam t’i shërbejmë edhe vëllezërve tanë në Kosovë, por pse jo edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi apo dhe më gjerë se kaq. Së shpejti do të kemi një vizitë në West Point besoj edhe vet kryeministri do të jetë me ne aty për të jetësuar modelimin e Akademisë FA sipas modelit të West Point”, u shpreh Peleshi.