Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka qenë prezente ditën e sotme në pikën kufitare të Qafë-Thanës, aty ku tha se ndihma e SHBA-së, po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit.
Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve nga “USAID” për autoritetet doganore, Ambasadorja Kim tha se SHBA mbështet integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Fjala e ambasadores Yuri Kim:
Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA po e bën Ballkanin Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjelltë.
Ndërsa sot qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurtë, por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të cojë përpara integrimin paqen dhe begatinë. Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të anëtarësimit në BE, dhe SHBA e mbështet këtë qëllim.
Pajisjet e blera nga USAID do të sigurojnë që autoritetet doganore të arrijnë standarde më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit për biznesin dhe kontrolleve për sigurinë”, u shpreh Kim.