Mark Marku është bërë zëri i radhës brenda Partisë Demokratike që nuk i ka kursyer kritikat edhe publikisht. Në një qëndrim të shpërndarë në Facebook, Marku shkruan se PD duhet të përballet me faktin se që prej zgjedhjeve të marsit të vitit ’92, PD nuk është parti me numrin më të madh të votave, madje edhe kur është fituese e zgjedhjeve.
Marku thotë se ky fakt i vënë në dukje nga kundërshtari është anashkaluar, por kjo nuk është një zgjidhje. Ai sugjeron se partia duhet të hapet dhe të ristrukturojë marrëdhëniet me grupet e interest, mediat, shoqërinë civile etj.
Marku thotë se është gabim kur mendohet se nevoja e trupës politike të PD për pushtet, është edhe nevoja e shqiptarëve.
Reagimi i plotë:
Më në fund, PD duhet të përballet me faktin se qysh prej zgjedhjeve të marsit të vitit 1992, PD nuk është parti me numrin më të madh të votave, madje edhe kur është parti fituese e zgjedhjeve. Ky fakt i përmendur shpesh nga kundërshtari është anashkaluar vazhdimisht, a thua se anashkalimi i saj e zgjidh vetë problemin. Zgjidhja e këtij problemi nënkupton jo vetëm një ide hapjeje, por një ristrukturim të marrëdhënieve të PD-së me grupet e intereset, shoqerinë civile, botën akademike, mediat, pra, me shoqerinë shqiptare në tërësi. Për shkak të ngurtësimit 30 vjeçar të këtyre marrëdhënieve në PD, mendohet gabimisht se nevoja e trupës politike të PD-së për pushtet është dhe nevoja e shoqerisë shqiptare.