Prokurori Petrit Çano, është një emër i lakuar shpesh në media, kjo për shkak të vendimeve të tij si prokuror që kanë sjellë dyshime në lidhje me përshtatshmërinë e tij në punë. Gjithashtu, Çano është akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre dhe historia e mëposhtme, lidh drejtpërdrejt Çanon me dy të dënuar.
Shtetasit Gentjan Doda dhe Gjovalin Kadeli, po vuajnë dënimet në burgun e Krujës për “mbajtje sendesh të paligjshme në qeli” dhe për “moskallëzim krimi”.
Grupi i gatshëm i Forcave Operacionale, erdhi në këtë burg për të kryer një kontroll nëpër qelitë e të dënuarve për sende të paligjshme. Pas kontrollit të kryer në befasi, Dodës i janë kapur në qeli dy telefona celularë “HTC” dhe “BlackBerry” dhe për këtë, ai është akuzuar edhe më tej për një vepër të dytë penale/
Doda nga ana e tij, ka pretenduar para avokatëve të tij mbrojtës se telefonat nuk ishin të tijtë dhe se ato ishin lënë në qeli nga një shok tjetër burgu. Por kjo gjë duket se nuk është marrë parasysh nga prokurorët të cilët kanë kërkuar nga Gjykata e Krujës, fillimisht vendosjen e masës “arrest me burg” mbi burgun që po kryente shtetasi Gentjan Doda, por edhe i akuzuari tjetër Gjovalin Kadeli.
Megjithatë, ky proces i ngatërruar qëllimisht, i ka ardhur për shtat prokurorëve të çështjes për të bërë disa para të mira nga të dënuarit me anë të korrupsionit.
I përfshirë në këtë çështje ka qenë edhe prokurori tjetër Bujar Memia, por në mungesë të tij, vendimin për heqjen e dënimit nga autori dhe për bartjen e tij tek një i dënuar për “mos kallëzim krimi” e ka bërë vetë kreu i Prokurorisë Krujë, Petrit Çano.
Ky i fundit edhe me ndihmën e vartëses së tij, prokurores Mirela Kapo, ka firmosur dhe vulosur dënimin shtesë për “mbajtje celularësh” për të dënuarit e mësipërm, duke u dhënë përkatësisht Gentjan Dodës edhe 3 vite burg dhe Gjovalin Kadelit dy vite shtesë për “moskallëzim krimi”.
Por më pas, çdo fakt i konstatuar nga policët që kontrolluan qelitë janë ndryshuar dhe fajësia për celularët e kapur i është hedhur mbi supe e gjitha Kadelit, në një kohë që prokurori Çano bashkë me vartësit e tij, e kanë nxjerrë si të pastër Dodën. Dënimi i është dhënë të dënuarit Kadeli, i cili nuk ka mundur që të justifikojë dot veprën penale…