Gjykata Administrative e Apelit ka shqyrtuar dhe ka pranuar kërkesën e banorëve për përshpejtim të një prej çeshtjeve të Zall-Gjoçaj, ajo e “Plepave të Brukës”. Gjyqtari Ardian Dvorani vendosi që në muajin shtator ose tetor, të nisë procesi gjyqësor mbi ankimimin e investitorit dhe Entit Rregullator të Energjisë, që kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.
Vendimi i marrë më 18.01.2021, i dha të drejtë palës paditëse, banorëve të Zall-Gjoçaj, dhe i hoqi licencën firmës koncensionare “Seka Hidrypower” për prodhimin e energjisë elektrike të hidrocentarlit “Zais”.
Sot u mbajt seanca në Gjykatën Administrative mbi çështjen e Pyllit “Plepat e Brukës” në Laknas. Banorët e zonës kanë ngritur padi që në vitin 2019 kundër Bashkisë Kamëz, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe firmës private “Bioproducts”, për të kundërshtuar transformimin e pyllit të tyre në thertore. Në seancën e sotme, gjyqtari Bezart Kaçkini shtoi dy pyetje të tjera për ekspertët të cilat do të shqyrtohen në seancën e datës 20 shtator.
Gjykata i kërkoi ekspertëve të përcaktojnë se sa është dendësia reale e pemëve në të gjithë sipërfaqen e “Plepave të Brukës”, duke ju kërkuar atyre të bëjnë numërimin fizik dhe real të tyre dhe njëkohësisht të përcaktonin se cilat ishin pjesët me dendësinë më të madhe të pronës.
Krahas procedurave gjyqësore, banorët e Laknasit nuk kanë anashkaluar aksione dhe përpjekje të tjera për të mbrojtur zonën që ata e konsiderojnë pyll. Përpos protestave, ata kanë zhvilluar edhe takime me kryetarin aktual të bashkisë Kamëz Rakip Sulin. Sjellja e Bashkisë edhe në proceset gjyqësore, ka qenë neutrale, duke munguar thuajse në të gjitha seancat.
Ndryshe nga herët e tjera, gjatë seancës së sotme bashkia Kamëz ka marrë pjesë nëpërmjet përfaqësueses ligjore, e cila nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, edhe pse është palë e paditur në këtë proces. Banorët po e ndjekin me shqetësim këtë proces të gjatë gjyqësor, ndërkohë po organizohen për të ndërmarrë nisma pastrimi dhe ndërgjegjësimi nëpër qytet.