Enti Rregullator i Ujit publikoi raportin e peformancës për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve për vitin 2020 duke nënvizuar se janë një sërë treguesish që kanë pësuar përkeqësim në raport me 2019-ën.
“Treguesi Mbulimi i Kostove Totale nuk e ka arritur nivelin e performancës së mirë dhe është përkeqësuar për vitin 2020, nga 77.5% në 74.9%. Gjithashtu edhe treguesit Uji Pa të Ardhura, Norma e Arkëtimit Korente dhe e Përgjithshme si dhe Mbulimi me Furnizimin me Ujë paraqiten me rënie krahasuar me vitin 2019” vlerëson ERRU.
Sipas raportit për vitin 2020, treguesi “Ujë Pa të Ardhura” në nivelin 65.4 % në sektor, paraqet trend përkeqësimi pasi krahasuar me një vit më parë shoqëritë kanë prodhuar në total 6% më shumë ndërkohë që faturimi total ka pësuar rënie me 2%.
ERRU nënvizon se në përkeqësimin e treguesit ndikuan jo vetëm faktorët “lidhje të paligjshme”, “faturimi aforfe” (sidomos për zonat rurale), “sistemet e vjetra” që ju bashkëngjitën shoqërive gjatë reformës së re territoriale, por edhe pandemia botërore e cila izoloi në tërësi turizmin dhe lëvizjen e banorëve vendas.
Një tjetër aspekt që sjell në vëmendje raporti është reforma e ujit e nisur në sektor ku një pjesë e mirë e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve nuk kanë arritur të plotësojnë kërkesat e riorganizimit e për rrjedhojë mbeten të palicencuara, shkruan Monitor.
“Sektori UK nuk e ka përfunduar ende riorganizimin sipas reformës edhe pse tashmë kanë kaluar 5 vjet nga miratimi i VKM-së Nr.63, datë 27.01.2016, për reformën në sektorin UK. Aktualisht të gjitha shoqëritë UK operojnë dhe ofrojnë shërbimin në të gjithë territorin administrativ të bashkive përkatëse, por jo të gjitha kanë arritur të plotësojnë kërkesat sipas procesit të parashikuar të riorganizimit pasi vetëm 39 nga 57 shoqëri UK janë licencuar nga ERRU sipas reformës” thuhet në raport.
Pavarësisht se në një situatë të vështirë pandemie ujësjellësit nuk kanë ngurruar që të zgjerojnë stafet. “Trendi i rritjes së stafit në sektor vazhdon akoma edhe për vitin 2020 i cili rezulton i shtuar me 213 punonjës. Megjithatë treguesi efiçenca e stafit është pothuajse në të njëjtin nivel 5.32 staf/1000 lidhje UK, pasi edhe numri i lidhjeve është rritur, duke zbutur kështu efektin negativ të rritjes së numrit të stafit.
Zgjerimi i zonës së shërbimit me zonat e shtuara rurale, por edhe garantimi i sigurisë me personel roje i komponentëve të sistemeve të furnizimit me ujë të shtuara, kanë sjellë nevojën e rritjes së numrit të punonjësve për shoqëritë UK” sjell në vëmendje raporti i performancës.