“18 vite më parë kongregata ime vendosi të hapte misionin në vende të tjera jashtë Anglisë dhe u zgjodh Shqipëria”.
Kështu e nis rrëfimin e saj në një intervistë për Tv Klan Motër Imelda Poole, presidente e Rrjeteve Fetare në Evropë Kundër Trafikimit dhe Shfrytëzimi (RENATE). Trafikimi i vajzave shqiptare dhe ndihma që mund të ofronin në këtë mision, ishte ajo çka iu propozua nga i ndjeri, Imzot Rrok Mirdita. Pas 16 vitesh në Shqipëri ajo rrëfen kur njohu viktimat dhe paratë trafikimit, shkruan TV Klan.
“Pyetjes se cili mund të ishte misioni ynë në Shqipëri Imzot Rrok Mirdita u përgjigj që do të ishte puna ndaj trafikimit njerëzor, pasi shume vajza po përfundonin viktima të shfrytëzimit pasi ishin rrëmbyer, ato transportoheshin me gomone në Itali. Atje ato shiteshin si mall, si komoditet, në rruge dhe shfrytëzoheshin seksualisht. Na u kërkua që të hapnim një strehëz dhe si pasojë m’u kërkua që të vizitoja zona përgjatë vendit, duke koordinuar klinikat shëndetësore dioqezane (të kishës katolike). Gjatë kësaj pune kam njohur viktimat e para të trafikimit që jetonin në fshatra dhe po ashtu ato që vinin në strehëz“.
Por si i kontakton vajzat e trafikuara? E vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për raportin e trafikimit të qenieve njerëzore motër Imelda tregon errësirën dhe mashtrimet ku zhyten vajzat e trafikuara.
“Jam në kontakt direkt me viktimat e trafikimit nga puna ime me RENATE. Pasi gjatë gjithë kohës kemi referime të viktimave shqiptare që ndodhen jashtë vendit. Shpesh kontakti vjen nga ëebsite, ose marr një telefonatë nga një i njohur në Mbreterinë e Bashkuar, pasi ky vend ka edhe numrin më të lartë të vajzave shqiptare si viktima trafikimi në strehëzat e tyre apo djem të rinj që janë joshur për t’u përfshirë në biznese të paligjshme dhe të korruptuara në Britani që merren me shpërndarjen e drogës dhe shpesh arrestohen si kriminelë, por në fakt ata janë të trafikuar dhe nuk paguhen dhe fatkeqësisht shumë prej tyre janë në burg tani”.
Vajzat e trafikuara janë të çdo shtrese dhe nga Veriu në Jug të Shqipërisë.
“Shumë prej viktimave shqiptare të trafikimit që kam takuar kanë qenë kryesisht nga Veriu por ka një rritje të viktimave nga zonat e Jugut, pasi kudo që ka zona kufitare ka një risk më të madh. Gjithashtu do të doja të thoja se viktimat e trafikimit që janë jashtë vendit mund të jenë nga çdo zonë e Shqipërisë dhe jo domosdoshmërisht nga zonat e varfra”.
I fejuari, burri apo agjencitë fantazmë, janë karremi i rekrutimit të vajzave për trafikim.
“Ata janë të rinj të cilët nga zhgënjyer, fatkeqësisht, nga jeta këtu dhe dëshirojnë një jetë më të mirë. Këta rekrutohen nga agjenci fantazma punësimi, ose ndoshta “i dashuri”, i cili në fakt është ose trafikanti ose pjesë e rrjetit të trafikimit ose bandave kriminale, ai për një vit të tërë do të joshë vajzën në një marrëdhënie dashurie dhe shpeshherë edhe martohen me të, e mbudh me dhurata dhe në fund e shet. Ka raste që një viktimë mund të shitet e blihet rreth 3 herë derisa arrin të vendoset në vendin e abuzimit në industrinë e seksit ose në punë të detyrueshme”.
Vlerësimin për të në raportin e Departamentit Amerikan i Shtetit ajo e ndan me të gjithë bashkëpunëtorët.
“Është e çuditshme pasi nuk ndjej së është një çmim vetëm i imi. Ndjehem e përulur pasi e di që janë me qindra njerëz të tjerë që e meritojnë më shumë se unë, por unë besoj, dhe kam një besim të fortë në këtë, që është një gjë e mrekullueshme dhe një nder sepse të jep mundësinë që të flasësh për këtë krim dhe të jep mundësinë që të punosh më shumë në aspektin publik dhe të falenderoj që më dhe mundësinë të flas për drejtësi dhe për ata që vuajnë nga ky krim”.