Detaje të reja dalin nga aksidenti me 1 viktimë dhe 9 të plagosur si pasojë e përmbysjes në greminë të një minibusi në Gramsh. Gjithashtu mësohet se mes të plagosurve është edhe një fëmijë 6-vjeç i cili po merr mjekim në spitalin e Gramshit. Ndërsa tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën për shkak të dëmtimeve të rënda dhe janë dërguar në spitalin e Traumës për një trajtim të specializuar mjekësor.
Mësohet se dy prej tyre janë transportuar me ambulancë ndërkohë që i treti është sjellë me helikopter te Trauma. Gjithashtu burime për ABC bëjnë me dije se të paktën 7 pasagjerë kanë qenë mbi kapacitetin e lejuar për furgonin që u aksidentua. Disa prej tyre kanë qenë të ulur me sendiljeve me stola druri.
Kujtojmë se si pasojë e aksidentit të rëndë humbi jetën 30-vjeçariLedian Lami. I riu, humbi jetën pasi minibusi doli nga rruga dhe përfundoi në një përrua në afërsi të fshatit Bregas. Të plagosur në aksidentin e rëndë mbetën gjithashtu edhe 9 persona të tjerë. Mësohet se të plagosurit janë nxjerrë nga shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit nga vendi ku u përmbys minibusi dhe janë transportuar me autoambulanca për ndihmë mjekësore. Sipas bluve, mjeti drejtohej nga shtetasi A.Xh., banues në Gramsh. Burime bëjnë me dije se nga verifikimet e kryera deri më tani, policia dyshon se drejtuesi i mjetit ka qenë duke folur në celular dhe ka humbur vëmendjen, e kësisoj edhe kontrollin e minibusit.