Kryeminsitri i vendit Edi Rama, në fund të takimit me drejtuesit e rinj të Policisë, i ka dhënë një ultimatum drejtuesve vendorë të Policisë së Shtetit, për të vënë në “shina” të gjithë strukturën. Rama gjatë fjalës së tij iu ka thënë se “Keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal, nga i pari tek i fundit. 100 ditë asnjë më shumë, që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër.
Asnjë shkencë asnjë shpikje. Thjeshtë dhe vetëm gjërat që dini ti bëni mirë”.
Gjithashtu kryeministri Edi Rama tha se çdo punonjës i kapur në shkelje, duhet çuar para drejtësisë.
“Unë dua t’iu them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. Asnjë ditë më shumë, vetëm 100 ditë! Që qytetarët të marrin frymë shumë të plotësuar, duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër. Asnjë shkencë, asnjë shpikje, asnjë luftë me një të panjohur, thjesht dhe vetëm gjërat që i dini, që dini t’i bëni mirë, se ndaj jeni zgjedhur, gjërat që njerëzit duan si themelin e marrëdhënies me shtetin dhe policinë e tyre. Kjo duhet bërë në respektin e vetes, të masës dërrmuese të trupës që është korrekte dhe që nuk ka pse i paguan kostos një pjesë që duhet zhdukur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shkojë para drejtësisë. Në çdo qark, në 100 ditë, duhen dhënë shembujt e qartë, që nuk ka polici pa ndëshkueshmëri. Ju nuk e keni fare problem t’i gjeni, t’i kapni për krahu e t’i çoni para drejtësisë. Ky është një objektiv i palëvizshëm. Në çdo qark, policë rrugorë, komisarë, shqiponja, skifterë, qakej, që rrinë si të infiltruar brenda trupit, duhet të shkojnë para drejtësisë”, tha Rama.
Ndër të tjera kryeministri ka prekur edhe fenomenin e dhunës në familje dhe u shpreh se ka komisariate të cilat i shpërfillin totalisht denoncimet, ai ka bërë thirrje që çdo denoncim të merret me seriozitet dhe përpikmëri dhe të çohet deri në fund nga strukturat përkatëse.
“Çdo komisariat do të ketë një rrjet me persona përgjegjës, që të merret me dhunën në familje dhe çdo thirrje të trajtohet me maksimumin e përkushtimit, për ato gra e vajza, që në fund fare përfundojnë në tehun e sëpatës”, tha kryeministri Rama.