Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë për këtë sezon, ka falenderuar të gjithë vaksinatorët dhe ekipet e shëndetësisë të cilët ia kanë dalë të kryejnë mbi 1 milionë vaksina deri më tani.
“Nuk është shifra qëllim në vetvete por janë jetë të mbrojtura nga koronavirusi dhe është garancia se, nëse vijojmë me këto ritme, jemi në rrugë të mbarë për zmbrapsjen përfundimtare të armikut të padukshëm”, tha Manastirliu.
Gjithashtu Manastirliu u shpreh se përpjekjet e qeverisë shqiptare vijojnë për të siguruar të gjitha vaksinat e nevojshme dhe për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari që t’u vaksinuar.
“Ne presim shumë shpejt, gjatë muajve korrik-gusht mbi 400 mijë doza të vaksinave që do të mbërrijnë në kuadër të kontratave ekzistuese. Ndërkaq me aktin që miratojmë sot në Kuvend, do të bëjmë të mundur që të vijnë edhe 23,400 doza të vaksinës Pfizer, si pjesë e instrumentit Covax, ku Shqipëria është pjesë që në krye të herës”, bëri me dije Manastirliu.
Manastirliu ndër të tjera tha se përmes njësive të lëvizshme të vaksinatorëve, do të shkohet në çdo komunitet, për të rritur mbrojtjen për qytetarët.
“Ne jemi të organizuar për të shkuar derë më derë, në çdo komunitet ku ka ende xhepa të pambuluar të të vaksinuarve, me programin tonë të vaksinimit me njësitë e lëvizshme tashmë, për të targetuar grupet vulnerabël, për të shmangur shpërthimet epidemike dhe për të rritur mbrojtjen për qytetarët, duke i vaksinuar kundër Covid19”, tha Manastirliu.
Gjithashtu ministrja e Shëndetësisë ka folur për variantine ri të virusit Delta, ajo tha se në vendin tonë nuk ka raste të konfirmuar të prekura nga ky variant, por foli për gatishmëri të të gjithë strukturave.
“Kërcënimi Delta mbetet një kërcënim real, serioz edhe për vendin tonë, në një kohë kur po qarkullon në 90 vende të Botës dhe ashtu sikurse evidencat tregojnë, ka një përhapje të shpejtë, të egër, edhe në disa vende europiane edhe në vendet e rajonit. Strukturat tona janë në situatë alerti, për të monitoruar të gjitha rastet.
Aktualisht nuk kemi një prezencë të këtij varianti në Shqipëri, pra nuk kemi sinjale laboratorike që tregojnë që ky variant po qarkullon në vendin tonë, por ne jemi duke monitoruar çdo rast, me shumë kujdes”, tha Manastirliu.
Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 1,120,070 doza vaksine ndaj COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,000,063 vaksinime, ndërsa 423,158 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.