KAS ka rrëzuar kërkesën e PD-së për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Në vendimin e tyre, komisionerët e KAS shprehen se do të mbetet në fuqi vendimi për kryetarin e Bashkisë, i cili do të qëndrojë ende në detyrë.
“Bazuar në analizën e fakteve dhe provave, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të depozituar nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Lënien në fuqi të vendimit për shqyrtimin e rezultatit të verfikimit të Qerim Ismailaj, kryetari i Bashkisë Mallakastër Qarku Fier”.
Partia Demokratike kërkoi nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtimin e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Në kërkesën ankimore, PD theksoi se vendimarrja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është në kundërshtim me ligjin, pasi Ismailaj është dënuar me vendim të prerë në shtetin grek. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi pak ditë më parë që Qerimaj të mbajë postin pasi në Shqipëri, sipas dispozitave ligjore për kundravajtjen do të dënohej vetëm me gjobë.
Qerim Ismailaj është dënuar në Greqi me 3 vite burg në mungesë për veprën penale “Konflikti dhe përleshjes”, por në formularin e dekriminalizimit kishte gënjyer dhe nuk e kishte deklaruar këtë dënim. Ismailaj u denoncua nga Partia Demokratike dhe më pas prokuroria nisi hetimet. Ismailaj doli kryebashkiak nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku garoi vetëm vetë.