Në Shqipëri sa vjen e rriten më tej kërkesat e bizneseve për më shumë programues informatike dhe punonjës me njohuri të mira në pajisjet moderne elektronike. Pjesë e përpjekjeve për të shtuar ekspertët vendas në këtë fushë është bërë edhe Universiteti Epitech.
Aty studiojnë një numër i konsiderueshëm të rinjsh, që përgatiten në programim dhe aplikacione informatike. Universiteti Epitech, ku studiohen shkencat informatike, programim dhe kërkime në teknologji digjitale, nisi vitin e katërt të veprimtarisë në Shqipëri. Dy vitet e para ishin si projekt pilot, për të parë nëse është adaptuar tregu shqiptar me programet franceze të informatikës, shkruan VOA.
Joan Kabello është ndër të parët, që mori rezultate nga puna e tij e madhe në këtë universitet nga mëngjesi në darkë, si thotë ai, e deri në orët e vona pas mesnatës. Ai thotë se këtu mësohet sa më shumë duke punuar sa më shumë, sepse kështu fitohen aftësi të larta profesionale.
“Kam mbaruar studimet Bachelor në Epitech. Që në vitin e parë unë jam punësuar në një kompani franceze, sepse Epitech në vitin e parë ka programe internshipi. Zhvillova një internship për 6 muaj në Paris. Pas kësaj vazhdova edhe dy vitet e tjera. Pasi mbarova studimet u punësova direkt në kompani shqiptare dhe të huaja dhe për momentin punoj si freelence” – tha zoti Kabello.
Universiteti Epitech e ka qendrën në Paris, por ai ka kapërcyer dhe aktualisht gjendet me 20 qendra të tjera studimore në botë. Vitin e kaluar një degë e tij u krijua edhe në Nju Jork. Studimet në Epitech kanë hyrë në Shqipëri në rrugën e një normaliteti të ri. Studimi në Epitech nuk është ai tradicionali me auditore e salla me tabela e lëndë teorike. Drejtuesi për Ballkanin i Epitech, Armend Tahiraj, thotë se në këtë vit të katër Epitech ka hapur një konkurs Women inTech, ku 50 vajzave më të mira në informatikë do t’u paguhet 70 për qind e bursës.
“Curiculat menaxhohen vetëm nga Parisi, notat vijnë vetëm nga Parisi. Në Epitech çdo studim kryhet përmes projekteve, çdo lëndë mësohet vetëm përmes praktikës, studentët janë pa ndërprerë në universitet 8-10 orë, ku mësojnë praktikisht si të kapërcejnë vështirësi, që mund të ndeshen përditë në një punë të vërtetë, duke mësuar përmes gabimeve dhe të rejat më të fundit në atë fushë” – thotë zoti Tahiraj.
Nxënësi i gjimnazit Petro Nini Luarasi në kryeqytet, Arend Dollapaj, të gjithë pasionin e tij për teknologjinë po e shndërron në studime të thelluara në Epitech, ku mësimet bëhen në anglisht dhe pedagogët janë francezë. Ai sapo ka përfunduar vitin e parë të studimeve dhe tani po kërkon një intership në shtete të tjera, dhe thotë se është përpara mundësive të shumta në një fushë me të ardhme të sigurtë.
“E nisa nga zero dhe nuk e prisja të arrija deri këtu. Por tani ndjehem I sigurtë, për shembull, në gjuhën C të programoj shumë mirë. Jo vetëm në gjuhën C, por metoda këtu na mëson që të programojmë edhe në gjuhë të tjera, sepse na ekspozon me metodën e mësimit. Më pëlqen inteligjenca artificiale dhe programimi i lojërave, por kjo është një fushë shumë e gjerë, ku mund të futesh në tema të sigurisë etj” – tha zoti Dollapaj.
Presidenti i Bordit drejtues të Epitech, Mark Crawford, thotë se sipas studimeve, Europës i mungojnë sot 1 milionë programues, Shqipërisë i mungojnë minimalisht 100 mijë programues, ndërsa kompanitë shqiptare po projektojnë që të rriten, por nuk gjejnë dot kaq shumë specialistë informatike.
Aktualisht universiteti publik dhe ata privatë kanë ende pak student në këtë degë shkencore, ata janë aq pak sa mund t’i mbledhë vetëm një kompani, por kërkesa është shumë e lartë në sektorin privat, thotë ai ai, duke nisur nga bankat deri te benzinatat në anë të rrugës.
“Epitech është një bashkëpunim prej 3 vjetësh mësim edhe punë. Internship në vit të parë, viti i katërt është jashtë shtetit, nga Kalifornia në Japoni, se kemi lidhje me universitete të ndryshme, dhe viti i pestë është në Paris. Unë parashikoj që pë çdo klasë mund të shkojnë deri në 100-150 studentë” – thotë zoti Crawford.
Studimet e tregut thonë se deri në 2030 pjesa dërrmuese e profesioneve do të ndryshojnë, një pjesë e madhe e tyre do të zhduken, ndërsa pandemia dha shtytjen dhe mësimin se transformimi digjital është mëse i domosdoshëm, është një nevojë botërore, dhe po kërkohen miliona talente në informatikë. Shqipëria, thonë njerëzit e Epitech, duhet të ecë përkrah me botën, që kompanitë të mos marrin programues nga jashtë, sepse transformimi digjital është bërë i detyrueshëm, punësimi i studentëve shqiptarë të kësaj fushe është i garantuar.