Prej ditësh në bregdetin e vendit kanë zbarkuar forca të shumta policie në kuadër të operacionit “Bregdeti Ynë”, gjatë të cilit janë prishur ndërtime pa leje, janë hequr shezlongë e çadra, për të cilat u tha se ishin vendosur në mënyrë të kundraligjshme.
Ditën e sotme, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka bërë edhe bilancin e fazës së parë të operacionit, duke thënë se në total, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur mbi 130 ndërtime pa leje dhe janë vendosur rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte. Këto janë të vetmet shifra të sakta që ministri ka publikuar, pasi numrin e të arrestuarve dhe të atyre që po ndiqen penalisht nuk e ka dhënë të saktë, por thjesht ka thënë që janë me dhjetra.
“Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë”, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil shembi mbi 130 ndërtime pa leje, si dhe vendosi rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte. Dhjetra persona janë arrestuar e të tjerë po ndiqen penalisht. Nuk ka mbaruar këtu gjithçka e as nuk do ta ndalim punën për çlirimin e bregdetit nga zaptuesit. Prej tre ditësh Policia e Shtetit në vijim të këtij operacion po kryen kontrolle për të evidentuar edhe ato subjekte që në mënyrë të paligjshme po shfrytëzojnë hapësirat e plazheve. Kemi detyrimin të mbrojmë këtë pasuri tonën të përbashkët dhe të çojmë para drejtësisë shkelësit e ligjit. Pas bregdetit, IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë punën për pastrimin e territorit nga ndërtimet pa leje edhe në zona të tjera të vendit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shkruan Çuçi.
Veç pasaktësisë në shifra, shqetësues është fakti që aksioni ka nisur në kulmin e sezonit veror. I vetmi ndikim që ka ky veprim është në dëm të turizmit, duke e shkatërruar atë në një kohë kur ka kaluar vështirësi të mëdha në dy vitet e fundit. Ndër të tjera, plazhet në jug të vendit dhe jo vetëm, prej kohësh janë një pjesë që iu jepet prioriteti. Në fund mbeten vetëm për t’u parë pasojat reale të këtij aksioni, me publikimin edhe të shifrave të sakta nga ana e ministrit të Brendshëm.