Regjisori Edmond Budina ka thënë se ishte besimplotë te Gjykata Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24, Budina tha se ai ka qenë prezent në sallë kur është bërë arsyetimi dhe pyetjet që janë bërë i kanë dhënë besim se Gjykata do të vendoste në favorin e tyre.
Regjisori u shpreh se i vjen keq për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që votuan kundër, ndërsa tha se ka besim se SPAK do e çojë deri në fund çështjen.
“Unë kam qenë besimplotë te Gjykata Kushtetuese, gjithmonë e kam thënë dhe nisur nga arsyetimi që ata bënë, unë kam qenë prezent në sallë. Pyetjet që ata bënin, më dhanë besimin se kjo do të ishte në favorin tonë dhe realisht ashtu ndodhi. Dhe realisht ashtu ndodhi. Më vjen shumë keq për anëtarët e gjykatës kushtetuese që kanë votuar kundër nesh sepse kanë votuar mbi baza partiake, ose klientelizmi. T’u vijë mirë, apo keq, por meqë ishin të caktuar nga qeveria ata votuan. Sepse në rastin e Teatrit Kombëtar, edhe pse mungojnë dy anëtarë, duhet të ishte votuar 9 me 0. Është një shkelje e rëndë dhe një aferë e madhe korruptive. Gjithësesi nga SPAK, unë jam besimplotë, ndonëse dyshimet janë të forta, sepse deri më tani ne kemi bërë 9 kallëzime për Teatrin edhe megjithatë jemi marrë në pyetje kemi dhënë dëshmitë tona, por nuk kemi asnjë të dhënë nëse janë marrë në pyetje ata që janë kallëzuar prej nesh. Jemi besimplotë se SPAK do e cojë deri në fund, jemi të mendimit që ka njerëz me integritet në këtë vend. Dhe nëse insiston për një kauzë për një ide, për një të drejtë tënden si qytetar edhe mund ta fitosh. E di që presioni atje është i jashtëzakonshëm, por ne nuk do ndalemi. Do e cojmë edhe jashtë ndërkombëtarisht”, tha ndër të tjera Budina.