Një tjetër aksident ka ndodhur në rrugët e vendit këtë pasdite, ku disa persona kanë mbetur të plagosur
Kanë qenë katër makina që janë përplasur kokë më kokë me njëra tjetrën dhe si pasojë disa persona kanë mbetur të plagosur, dyshohet se mes tyre edhe fëmijë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin Lezhë-Shkodër, rreth orës 17:25.
Në foto duken katër makinat që kanë pësuar dëmtime të shumta nga përplasja e fortë. Madje njëra prej makinave ka dalë tërësisht nga rruga dhe ka përfunduar në kanal. Ndërkohë, një nga makinat e tjera është totalisht e shkatërruar. Nuk dihet ende se cili mund të ketë qenë shkaku i aksidentit.
Mësohet se të plagosurit janë dërguar drejt spitalit të Lezhës me urgjencë, ndërsa nuk janë bërë ende të ditura detaje rreth gjendjes së tyre.
Trafiku është bllokuar si pasojë e aksidentit, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe është duke punuar për të zbardhur rrethanat dhe shkeljet që çuan në aksidentin e rëndë.
Kujtojmë që për shkak të aksidenteve të javëve të fundit, Policia Rrugore ka shtuar kontrollet dhe vetëm në 24 orët e fundit anë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjëndje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.