Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sot për të shqyrtuar verifikimin e Prokurorisë së Përgjithshme për dënimin që kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj ka pasur në Greqi në vitin 2000. Kujtojmë se ai ishte i dënuar me 3 vite burg për në konflikt të ndodhur në Greqi, por nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit para kandidimit.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso kërkoi ndërprerjen e mandatit të kryebashkiakut të Mallakastrës, pasi ndodhet në kushtet e ndalimit për një periudhë 10-vjeçare dhe ai ende s’ka nisur dënimin e 21 viteve më parë.
”Ishte PD që vuri në lëvizje PP për verifikimin e kryebashkiakut të Mallakastrës. Ismailaj ishte në kushtet e pakandidimit në momentin që u zgjodh, pasi ishte dënuar.
Ismailaj ndodhet në kushtet e ndalimit të kadndidimit për periudhë 10-vjeçare, nga momenti i nisjes së dënimit dhe në dijeninë tonë ai nuk ka nisur dënimin.
Sipas nesh KQZ duhet të konstatojë faktet vendosë largimin e kryebashkiakut të Mallakastrës.
Të vendoset ndërprerja e mandatit të kryetarit të Bashkise Mallakastrës.”- tha Kaso.
Ndërsa avokati mbrojtës, Besnik Strati thotë se Ismailaj nuk rezulton person i ndaluar apo i dëbuar nga Greqia, madje ai shtonë se nuk ka pasur dijeni për vendimin.
”Shqyrtimi në Gjykaten greke është zhvilluar në mungesë të Qerim Ismailaj dhe ai nuk ka pasur dijeni për vendimin.
Qerim Ismailaj nuk figuron si person i ndaluar nga ndonjë autoritet i huaj apo i dëbuar nga ndonjë vend i huaj.”- tha Strati.