Famullitari i Shkodrës, Vlash Palaj ka reaguar për ngjarjet tragjike të ndodhura në vend gjatë javës së fundit. Në meshën e së dielës në katedralen “Shën Shtjefni”, Palaj u ka bërë apel autoriteteve të mbajnë një qëndrim të drejtë e të reagojnë.
Ai ka përmendur aksidentin që ndodhi më jug të vendit ku një familje me 4 anëtarë u shua dhe vazhdoi më tej me masakrën në Velipojë ku u vranë katër persona e u plagosën dy të tjerë. Palaj tha se kjo situatë nuk është normale dhe secili duhet të reflektojë aty ku cenon jetën e tjetrit. Ai bëri thirrje edhe për autoritetet duke thënë se ai që nuk është i aftë ta administrojë situatën të dorëhiqet e t’i lërë vendin dikujt tjetër.
Fjala e plotë e Vlash Palaj:
Nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj asaj që ka ndodhur gjatë kësaj jave. Një javë me të vërtetë tragjike për vendin tonë dhe ju ftoj që të arsyetoni dhe të mendoni seriozisht për shkaqet e degradimit të jetës në mënyrë të tillë. Kemi një aksident që ndodh në jug të Shqipërisë ku shuhet një familje krejt, babai, nëna dhe dy vajzat, katër të vdekur për një aksident. Mbrëmë në Velipojë katër të vrarë dhe dy të plagosur. Kisha në urtinë e saj ka sintetizu gjithmonë të keqen duke thënë se mëkati çon në vdekje. Ku është mëkati në lidhje me këto dy situata? Po është mëkat i madh atëherë kur nuk mbahet ritmi i jetës, kur don të kalosh caqet e saj, kur don të kalosh limitet e saj, kur don të ecësh më shpejt se është e duhur dhe kur nuk do të mbash ritmin e jetës së fëmijëve në makinën tënde. Ajo që të vjen më keq është se aty ku në një farë mënyre njeriu nuk din me ju përmbajt ritmit të jetës e cila është e avashtë, është graduale, nuk është e shpejtë apo e ekzagjeruar dhe aty për shkak të këtij mëkati shkon e godet të pafajshmit sepse fatkeqësia në këtë rast është tek ato dy fëmijë të pafajshëm të aksidentuar. Mbrëmë edhe në vrasjen në Velipojë edhe aty është mëkati sepse janë ngatërruar për shkak të një të mire publike dhe mëkati në këtë rast nuk është vetëm mes atyre dy familjeve apo atyre dy bizneseve atje por mëkati në këtë rast është një strukturë e mirëfilltë sepse ata ngatërrohen për një të mirë që nuk është e tyre por është publike. Do të thotë se ata ndihen më autoritar edhe ndaj atyre që kanë përgjegjësinë të përcaktojnë ndarjen ose funksionimin ose të mirën publike në funksion të qytetarëve dhe mëkati kalon direkt tek pushteti lokal por edhe ai qëndror. Nuk është normale kjo situatë absolutisht por çdo kush të reflektojë se aty ku njeriu abuzon me të mirën e tjetrit, ku njeriu jeton për të përfituar thjeshtë për interesin e tij prap është mëkat, ku aty ushtrohet logjika e mikut prap është mëkat sepse e pëson dikush që nuk ka faj dhe aty ku ka kompromise me bazë interesi të jeni të sigurtë gjithmonë se dikush do ta pësojë dhe do ta pësojë me vdekje. Prandaj dikush ti thërrasë mendjes se papërgjegjshmëria e atyre që janë autoritete për administrimin e këtyre të mirave të cilat i ka fal Zoti, papërgjegjshmëria vret. Edhe mungesa e shpirtit, mungesa e vlerës së jetës që jetojnë vetëm për t’u pasuruar edhe ajo vret sepse ai mëkat, ajo vrasje që ka ndodhur e ka një zanafillë të saj. Nëse ti abuzon vazhdimisht me të keqen ta dish se një ditë e keqja do të bëjë shumë keq ty. Fjala e popullit është e patjetërsueshme dhe qëndron gjithmonë, parja e tepërt dhe fatkeqësisht ato struktura korruptive, mafioze të cilat abuzojnë edhe me të mirat e përbashketa të ha kokën. Prandaj të jetojmë me dinjitet, me atë që të përket, me jetu me ligjshmëri, me jetu me moralitet, me jetu me etikë, me jetu si një qënie shoqërore dhe jo individuale, personale ku vë mbi të gjitha interesin tënd vetjak. Një njeri që jeton me këtë logjikë herët a vonë do ta humbin vetveten por edhe jetën e vet. Nëse mbjell keq, keq do korrësh dhe nëse jeton me të mirën ke shpresë se do të korrësh mirë por jo gjithmonë edhe kjo sepse ai i pamunduari shpesh herë godet të pafajshmin prandaj uroj që çdo kush të reflektojë mbi këtë situatë dhe të mbajë një mbajë një qëndrim të drejtë sepse një ditë do ti japim llogari Zotit por ka për të qenë ai procesi final por edhe në këtë jetë do të shkojë çdo gjë në vend thotë Krishti dhe s’do mbesim asgjë pa dalë edhe gjatë rrjedhës së saj. Të jetojmë me dinjitet e ndershmëri duke e vlerësuar tjetrin të ngjashmin tënd dhe nëse beson në Zotin i bie të jetë vëllai jot sepse Zoti për ne është Atë. Dhashtë Zoti që dikush të ketë kurajon që kur e sheh se nuk është në gjendje të administrojë ashtu siç duhet të mirën e përbashkët të dorëhiqet e të largohet. Uroj që dikush vërtetë përballë kësaj katastrofe, një familje të shuar dhe dy familje të tjera të shkatërruara dikush të ketë kurajon për të thënë se unë nuk bëj për këtë punë dhe ia lëshoj vendin dikuj tjetër. Të lutemi për këto shpirtra që Zoti të ketë mëshirë për këto jetë që shkojnë kot për gjëra të kësaj bote. Nëse ti fiton gjithë botën por humb jetën tënde atëherë e bjerr shpirtin tand.