Një shtetas 21-vjeçar është arrestuar nga Policia në Durrës, pasi është kapur në një taksi me armë me vete. 21-vjeçari e kishte fshehur armën dhe tetë fishekë në çantën e tij të dorës. Njoftimi i Policisë:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe të Komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e pandërprera në territor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Kontrollet nga strukturat e Komisariateve të Policisë Durrës dhe Krujë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak dhe fidanë cannabis sativa. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë dhe kapjen e personave që lëvizin me armë zjarri me vete, strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcën “Shqiponja” në DVP Durrës, kanë zhvilluar kontrolle në qytet. Si rezultat i kontrolleve, bazuar dhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit E. U., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Pas marrjes së informacionit se ky shtetas lëvizte me armë zjarri me vete, kanë ndaluar mjetin taksi me të cilin ky shtetas po lëvizte dhe gjatë kontrollit në çantën e dorës, këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri dhe 8 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.