Kryeministri i vendit Edi Rama i ka kthyer një përgjigje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ka pranuar që të marrë mandatin në Qarkun e Durrësit, duke lënë atë të Vlorës, ku kishte fituar në zgjedhjet e 25 prillit.
Me këtë vendim, Rama e la bosh vendin e tij në Vlorë për vajzën çame Teuta Ramaj, e cila renditej e 9-ta në listën shumemërore të kandidatëve të PS për qarkun jugor, ndërsa në Durrës pas tij ishte kandidatja Ana Dhamo. Mësohet se kryetari i Partisë Socialiste i ka kthyer përgjigje KQZ-së se cilin prej mandateve do të mbante, duke konfirmuar kështu atë çka pritej.
Gjithashtu kujtojmë se gjatë fushatës elektorale kryeministri kishte paralajmëruar se po të fitonte në të dyja qarqet, do të zgjidhte mandatin në Durrës.
Menjëherë pas vendimit të bërë publik nga KQZ, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale edhe vetë kryeministri Edi Rama, i cili ndër të tjera ka theksuar se Vlora është dhe do të jetë deri në fund në zemrën e tij.
Mes të tjerash ai qartësoi se Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt vendin.
“Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt #Shqipërinë2030🇦🇱”, ka shkruar kryeministri Edi Rama.