Portugalia nuk mundi t’i bëjë ballë Gjermanisë dhe doli nga Mynihu e mundur me shifrat 4-2. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i luzitanëve, Fernando Santos, që pas kësaj disfate u mundua ta shohë gotën gjysmë plot.
“Filluam mirë, me organizim të lojës, duke kërkuar edhe të sulmojmë. Luajtëm mirë në kundërsulm dhe e përdorëm mirë një prej tyre, duke shënuar. E dinim se ata më pas do të luftonin fort. Gjermania ishte më mirë sot, por edhe ne kishim terren.
Kishin një tjetër shans për të shënuar dhe mund të kishte rezultuar ndryshe. Në nisje të së dytës u mundova të ndryshoj disa gjëra, por ata shënuan të tretin dhe të katërtin. Kjo e tronditi ekipin, por sërish u munduam të reagojmë. E çuam 4-2, goditëm shtyllën dhe kishim edhe dy raste të tjera për të shënuar.
Gjermania gjithashtu krijoi rrezik. Ishte fitore e merituar e tyre. Do duhet të reflektojmë pas kësaj ndeshje, por vazhdojmë përpara dhe shohim për ndeshjen e radhës sepse është e rëndësishme, luajmë ndaj Francës”, u shpreh Santos.
Gjithashtu, pas ndeshjes për mediet foli mesfushori i kampionëve në fuqi, Joao Moutinho, që pranoi se Gjermania ishte më lart sonte.
“Është rezultat që nuk e donim, sigurisht. Kishte momente, që nuk e luftonim dot supermacinë e Gjermanisë në lojë, por fuhet të marrim gjërat pozitive nga kjo ndeshje. Gjermania ka një ekip të shkëlqyer, lojtarë të shkëlqyer dhe luajtën shumë mirë mes linjave.
Pas golit të katërt të tyre u përmirësuam, megjithëse nuk mundëm të kthehemi. Shënuam golin e dytë dhe goditëm edhe shtyllën. Duhet të vazhdojmë të punojmë”,u shpreh Moutinho.