Holanda ka ndryshuar qëndrim ditën e sotme lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pas një kohe të gjatë kundërshtimesh. Parlamenti ra dakord që të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë pas miratimit të kuadrit negociator.
Menjëherë pas këtij lajmi, ka reaguar kryeministri i vendit Edi Rama i cili ka përshëndetur vendimin e parlamentit holandez. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai thotë se pas zgjedhjeve atje, Shqipërisë iu hap rruga drejt procesit për Integrimin Europian.
“LAJM TJETËR I MIRË/ Parlamenti holandez mbështet thirrjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim. Ua kisha thënë, pa u bërë zgjedhjet atje nuk kemi çfarë presim dhe ja, zgjedhjet mbaruan Shqipëria u zhbllokua. Sidoqoftë faleminderit me mirënjohje se s’ka kohë për pushim“, shkuar kryeministri i vendit Edi Rama.
Gjatë ditës së sotme, ambasada holandeze njoftoi se Parlamenti i Holandës ka shprehur mbështetjen për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë, pavarësisht kundërshtimeve që i ka bërë më parë.
Gjithashtu, qeveria holandeze thotë se Shqipëria ka bërë progres në fushën e reformës në drejtësi si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ditën e nesërme pritet të votohen dhe mocionet të cilat mund të ngrihen nga partitë politike ose grupet parlamentare.
Më 22 qershor të këtij viti, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Europian për cceljen e kuadrit negociator ku do të votohet nëse do i hapet rruga Shqipërisë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.