Kolegji Zgjedhor nuk ka pranuar kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për shtyrje të seancës së sotme ku po shqyrtohet padia për zgjedhjet në qytetin e Shkodrës.
LSI-ja kërkoi shtyrjen e seancës për shkak se mungonte përfaqësuesi i kësaj force politike në Komisionin Zgjedhor. Kjo kërkesë është cilësuar si e pabazuar në prova nga Kolegji Zgjedhor, duke e argumentuar me faktin që përfaqësuesja kishte dijeni për zhvillimin e seancës dhe duhet të përcaktonte përfaqësuesin e saj. Kolegji Zgjedhor ka vazhduar gjykimin për çështjen në fjalë normalisht pa praninë e përfaqësueses së Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në fjalën e mbajtur, drejtuesi i seancës u shpreh: “Vendosi të mos e pranojë kërkesën e përfaqësuesit të personit të interesuar për shtyrjen e seancës së sotme me arsyetimin se shkaku i parashtruar në këtë kërkesë nuk justifikon shtyrjen e seancës së sotme. Në kushtet kur kjo palë e interesuar kishte dijeni, mund të caktonte një përfaqësues tjetër. Së dyti, të vijojë gjykimin në mungesë të personit të interesuar. Shpallet trupi gjykues, sekretaria gjyqësore, çështja gjykohet nga 5 gjyqtarë të Kolegjit Zgjedhor”
Sjellim në vëmendje që sot Kolegji Zgjedhor shqyrton padinë e PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet në Shkodër, ndërsa në seancat e mëparshme ka rrëzuar ankimimet e dy forcave politike në opozitë.