Policia në Portin e Durrësit ka vënë në pranga dy persona të cilëve u janë gjetur me vete leje drejtimi dhe karta shëndeti të falsifikuara. Në pranga kanë rënë shtetasit Sh. L., 50 vjeç, banues në Kavajë dhe A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi i plotë:
Vihen në pranga 2 shtetas, pasi në PKK Durrës iu gjetën leje drejtimi, leje qëndrimi dhe karta shëndeti të dyshuara të falsifikuara.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Sh. L., 50 vjeç, banues në Kavajë dhe A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të mjetit autobus tip “Kinglong” me drejtues shtetasin A. B. dhe menaxher shtetasin Sh. L., kanë gjetur 2 leje qëndrimi rumune, 2 leje drejtimi rumune dhe 2 karta shëndeti rumune të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, gjatë kontrollit iu gjetën edhe dy pasaporta shqiptare që rezultojnë se personat që i posedojnë këto pasaporta janë në Itali. Dy shtetasit e arrestuar dyshohet se i kishin marrë pasaportat për t’i vulosur në Shqipëri, me qëllim që poseduesit e tyre të mos penalizoheshin për shkeljen e afatit 90-ditor në zonën Schengen.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.