Ylber Xhahysa, 44 vjeç mbeti i vrarë sot pas një konflikti me të njohurin e tij, Leonard Bashaliu. Emrat e viktimës dhe autorit të dyshuar të vrasjes që u arrestua pak minuta pas krimit, i ka raportuar “BW”. Xhahysa ishte pronar i një studio Tv Kabllor në Pajovë Peqin.
LEXO EDHE: Vazhdojnë vrasjet në Shqipëri, një 45-vjeçar ekzekutohet në Peqin
Mësohet se autori dhe viktima ishin të njohur dhe miq me njeri-tjetrin dhe 44-vjeçari Xhahysa kishte shkuar mëngjesin e sotëm pranë banesës së 36-vjeçarit Bashaliu në fshatin Gjoçaj, ku dyshohet se ka ndodhur dhe konflikti për motive të dobëta. Bashaliu e ka qëlluar me pistoletë dhe megjithëse Xhahysa u dërgua në spital nga të afërmit, nuk mundi të mbijetonte. Dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka qenë për një gërvishtje makine.
Njoftimi i Policisë – “Policia kap dhe vë në pranga disa minuta pas ngjarjes, autorin e vrasjes së 45-vjeçarit, ndodhur në fshatin Gjocaj, Peqin.
Më datë 08.06.2021, rreth orës 08:30, në fshatin Gjocaj, Peqin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. B, rreth 40 vjeç, banues në Gjocaj, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Y. Xh, rreth 45 vjeç, banues në fshatin Pajov, i cili si pasojë e plagëve ta marra ndërroi jetë në spitalin e Peqinit.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin e autorit, lokalizimin e vendndodhjes dhe pas disa minutash ndjekje nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar së bashku me armën e zjarrit pistoletë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.