Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim dhe prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, kanë dhënë një prononcim për mediat nga qyteti i Pogradecit. Diplomatja amerikane ka theksuar rolin e koordinatorëve në Reformën në Drejtësi. Yuri Kim ka shmangur pyetjen që i kanë bërë lidhur me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje.
Yuri Kim ka thënë se ndodhet në Pogradec për të takuar 3 nga koordinatorët e viktimave në Korçë, Elbasan dhe Pogradec. Gjithashtu ajo ka theksuar se koordinatorët luajnë një rol të rëndësishëm në Reformën në Drejtësi.
“Sikurse e tha Olsian Çela jemi këtu për tu takuar me 3 nga koordinatorët e viktimave, Korçë, Elbasan dhe Pogradec. Koordinatorët luajnë një rol të rëndësishëm për reformën në drejtësi. Donim të shihnim si po shkonin dhe çfarë mund të bëjmë për të ofruar më shumë mbështetje. Prokurori dhe unë folëm për të vazhduarit me ndjekjen e krimeve zgjedhore. Në rastet kur ka krime viktimat duhet të marrin atë që u përket dhe shkelësit duhet të dënohen. Folëm edhe për rëndësinë që ka ruajtja e këtij roli të prokurorëve”, tha Yuri Kim.
Ndërsa u pyet mbi “javën e nxehtë që e pret politikën shqiptare”, ku pritet shkarkimi presidentit Meta, Yuri Kim tha: “Sot doja të fokusohesha vetëm te drejtësia dhe koordinatorët e viktimave”.