Kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha në një takim të zhvilluar me strukturat e PD-së në Qarkun e Elbasanit, ka deklaruar se do të luftojnë çdo ditë për zhbërjen e masakrës elektorale. Basha u shpreh se Partia Demokratike do bind aleatët për masakrën zgjedhore dhe se opozita do përgatisë bashkë me ta një platformë për të rikthyer demokracinë.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një takim ne demokratët në Qarkun e Elbasanit deklaroi se do të luftojnë çdo ditë për zhbërjen e masakrës elektorale. Gjatë fjalës së tij Basha tha se PD-ja do bind aleatët për masakrën zgjedhore dhe se opozita do përgatisë bashkë me ta një platformë për të rikthyer demokracinë.
“Miqtë e mi, ndonëse sot ndodhem para jush në kuadër të garës së brendshme, nuk mund ta nis këtu në Elbasan pa thënë, faktin që ndodhemi në zemrën gjeografike të Shqipërisë, ndodhemi në zemrën e qytetarisë këtu në qytetin e Elbasanit, po ndodhemi dhe në zemrën e sistemit dhe makinerisë kriminale që Edi Rama ka ndërtuar këtij 8 vite për të grabitur Shqipërinë, për të tjetërsuar institucionet e saj dhe për të vënë në jetë një nga planet më të zeza të shpopullimit, nënshtrimit dhe zhbërjes të çdo arritje të këtyre 30 viteve të shënuara me progres, me zik-zake, po në tërësi me përparim për qytetarët shqiptarë.
Këtu nga Elbasani, u shtri anembanë qarkut dhe rrezatoi dhe rrezaton akoma e vetmja ofertë e Edi Ramës për shqiptarët. Në formën e një barcaletë që do të ishte për të qeshur nëse nuk është kaq dramatike dhe nuk ndodh në rrethana kaq dramatike, siç është fakti që njeriu më i urryer i Elbasanit, njeriu më i urryer pas Edi Ramës në Shqipëri, Taulant Balla është njeriu më i votuar i 25 prillit. Kjo në vetvete tregon se çfarë ka qenë 25 prilli. Një masakër e pashembullt elektorale.
Nuk është hera e parë që Partia Demokratike futet në një betejë të pabarabartë, por ne u futëm në këtë betejë jo thjesht dhe vetëm me vetëdijen se ishim në kushte te pabarabarta.
Dhe me këtë përballje të qartë e vazhduam ditë për ditë, duke shpalosur programin tonë, vizionin tonë, zgjidhjet tona ndaj qytetarëve ndërkohë që në anën tjetër përballeshim me një dhe vetëm një operacion agresiv, antiligjor, atë të shantazhimit dhe kërcënimit të qytetarëve, atë të blerjes së votave, atë të dhunimit të lirive dhe dinjitetin të tyre në mes të ditës e në orët e vona të natës, të një shteti të bërë njësh me partinë, të një policie që në rastin më të mirë i përshëndeste bandat e në rastin më të keq i mbronte ato nga dora e ligjit. Pikërisht këtu në zemër të Shqipërisë u ekzekutua me mizori operacioni i mbivendosjes së një pakice kriminale ndaj shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, të qytetarëve të Elbasanit që dolën të kërkonin ndryshim. Pikërisht për këtë arsye vlera e punës tuaj, e sakrificës e vetëmohimit tuaj merr përmasa të veçanta.
Me këto vlera u futëm në betejë, me këto vlera dhe më një program ndër më të mirët hartuar ndonjëherë e konkretizuar në kontrata të nënshkruara me mbi 12 grupe interesi së selinë qendrore të Partisë Demokratike, të diskutuara me këto grupe interesi anembanë vendit përfshirë edhe në Elbasan dhe mbi të gjitha me një bashkim krah më krah duke sheshuar mosmarrëveshje dhe pakënaqësi që janë normale në gjirin e një partie politike e aq më pak në gjirin e një dege sa më e madhe të jetë ajo duke vendosur interesin e elbasanasve, të qytetit, të qarkut dhe të Shqipërisë përpara interesave tuaja personale.
Kjo është arsyeja se pse përkundër kësaj masakre zgjedhore ne dolëm më të fortë dhe jo më të dobët, më të mëdhenj dhe jo më të vegjël se sa hymë dhe mbi të gjitha me moralin dhe kokat lartë. Askush prej jush nuk bleu vota, nuk kërcënoi dhe nuk intimidoi qytetarët, nuk i kërcënoi për heqjen nga puna. Ne shkuam tek ata me një program, ne shkuam atje me pastërtinë e shpirtit tonë dhe mbi të gjitha ne shkuam atje me prova të dokumentuara tashmë të betejave tona të mëparshme se çdo sakrificë, se çdo betejë deri më sot nuk e kemi bërë as për as për karrigen time, as për karriget tuaja, as për karriget e deputetëve, por e kemi bërë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Çfarë lidhje ka 25 prilli me vullnetin e shumicës. Kush është shumica e Elbasanit, qytetarët që donin ndryshim, apo Balla, Çela e Rakipi me shokë. 25 prilli është dita ku në Shqipëri përkohësisht ka rënë demokracia ndaj dhe barra e përgjegjësisë me të cilën dalim sot para shqiptarëve është edhe më e madhe se para 25 prillit. Në qoftë se para 25 prillit detyra jonë ishte të ndiznim shpresën për ndryshim, sot mbi supet tona rëndon i njëjti mision me të cilin jemi krijuar para 31 vitesh. Misioni për të mbajtur gjallë flakën e lirisë dhe të demokracisë, e cila rrezikon të shuhet tashmë jo në një diktaturë ideologjike, por një diktaturë kriminalo-politiko-oligarkike, asgjë tjetër nuk kanë ndryshe përveç emërtesave. Njësoj na trajtojnë ne, kundërshtarëve politikë si armiq, njësoj e kanë derdhur helmin, poshtërsinë, hajdutërinë, arrogancën, dhunën mbi anëtarët e Partisë Demokratike, mbi pjesëtarët tanë në fushatë, mbi votuesit tanë, duke i konsideruar ata jo kundërshtarë politik siç e dikton pluralizmi, por armiq, të cilëve ju shkatërrohet normaliteti i jetës përditshme. Largohen nga puna, kërcënohen me gjoba në sektorin privat, madje largohen nga puna edhe në sektorin privatë kur janë kontraktor të qeverisë. Kjo është një hakmarrje e verbër e një armiku total të demokracisë, të shkeljes së rregullave demokratike, një armiku total të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë prej orës parë, kështu është dhe kështu do të jetë për mua, nuk e njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të kryer mbi popullin tim, mbi qytetarët e mi, mbi Shqipërinë tonë dhe mbi demokracinë. Por do të luftoj ditë e natë për zhbërjen e kësaj masakre dhe për të bindur aleatët tanë për një platformë për kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend. Thënë kjo, nuk mund të pranoj dorën e autorit të kësaj masakre që shtrihet gjoja për bashkëpunim pa kushte ndërkohë që dora e tij e zgjatur godet në Elbasan dhe kudo në Shqipëri demokratet dhe demokratët duke i kërcënuar dhe duke i hequr nga puna, duke I transferuar, duke I mbyllur bizneset në këto momente që flasim, vetëm e vetëm sepse kanë bërë fushatë për kundërshtarin e tyre politik. Zemërim popullor i një shumice të dhunuar padrejtësisht në aspiratën për ndryshim sepse 25 Prilli para se të jetë vjedhje e fitores së një partie politike është mbivendosje me dhunë i vullnetit të shumicës nga një pakicë absolute harbutësh të korruptuar që e mendojnë Shqipërinë dhe Elbasanin çifligun e tyre dhe shqiptarët njerëz që vetëm mund të nënshtrohen nga frika, arroganca dhe anti-vlerat që shpalosin ditë për ditë.
E pra, t’i thuash jo është minimum, t’i japësh betejë ditë për ditë këtij regjimi, është tashmë jo thjesht misioni ynë, detyra jonë politike por është detyra patriotike e çdo shqiptari që e do këtë vend.”, tha Basha.