Policia ka arrestuar 30-vjeçarin Bledar Nezha në Kurbin. Ky i fundit ka qenë i arrestuar edhe më parë jashtë territoreve të Shqipërisë. U sekuestruan plot 55 ora të markave të ndryshme dhe disa gjëra të tjera me vlerë.
Njoftimi – “Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara për një shtetas që dyshohet për veprimtari të jashtëligjshme në fushën e vjedhjes së banesave në vendet e BE-së, pas një hetimi disamujor finalizuan operacionin “Aksesorët”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasit Bledar Nezha, 30 vjeç, banues në Kurbin (i arrestuar më parë jashtë shtetit)”, njoftoi policia.
Sipas bluve, këtij shtetasi, gjatë kontrollit të banesës, iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 krehra pistolete me fishekë, municion luftarak, 55 ora të markave të ndryshme, 18 unaza, 20 byzylykë dore, varëse, për të cilat nuk dispononte asnjë dokumentacion apo faturë blerjeje, të dyshuara si produkte të veprimtarisë kriminale jashtë vendit në fushën e vjedhjes së banesave.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.