Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ditën e sotme është ndalur në qytetin e Kavajës, Rrogozhinës dhe njësitë administrative 15-16, ku po zhvillon një takim me strukturat e PD-së në këto qytete.
Basha gjatë fjalës së mbajtur në këto qytete është shprehur se do ti bindë aleatët e tij për atë që ai e cilësoi si “masakër zgjedhore”. Kreu i PD-së është shprehur se do të vijojë misionin për ti rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë Shqipërisë. Mes të tjerash Basha tha se PD-ja do të vijojë misionin që peshon më shumë se partia, që sipas tij është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
“Faleminderit zoti kryetar! Zonja drejtuese politike, kandidat, drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në degën e Kavajës. Veteran, themelues, qëndrestarë, drejtuese të Forumit të Lidhjes Demokatike të Gruas, të rinj e të reja të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë më të thellë nga zemra që jam sot në mesin tuaj e t’ju falënderoj për këtë mikpritje të jashtëzakonshme! Ndaj, siç më keni pritur me zemër të hapur, ashtu e kam zemrën e hapur për t’ju thënë sot faleminderit dhe mirënjohje të thellë për gjithçka që keni bërë! Fjalët dhe qëndrimet që kam mbajtur gjatë këtij turi nuk janë thjesht ndjenja që burojnë nga zemra, por janë mbi të gjitha frymëzimi që marr kur shoh, kur ju takoj demokratëve anembanë vendit, sfiduar nga makineria më e madhe dhe më e përbindshme e korrupsionit dhe e krimit elektoral që ka njohur Shqipëria në 30 vite, por në të njëjtën kohë ballëlartë sepse nuk i ikët betejës, zgjodhët të qëndronit, zgjodhët të përballeshit anembanë vendit, zgjodhët të përballeshit me dinjitetin më të madh dhe me trimërinë që e keni trashëgim nga orët e para të përmbysjes së diktaturës, nga orët e para të demokracisë, që janë orët e Kavajës dhe të rinisë së Kavajës.
Këtë e dinë të gjithë, e di dhe kundërshtari, i cili njësoj si në ato vite, edhe kësaj radhe u përpoq ta përgjakte qëndresën tonë. Me sulmin barbar ndaj Bled Okshtunit, po asgjë dhe askush nuk mund ta thotë më mirë sesa Vullneti, i ati i tij, kur e pyetën sa kohë ka që është aktivizuar Bledi me Partinë Demokratike, tha që kur ka lindur. Që kur ka lindur dhe që do të vazhdojë sa të ketë frymë. I kam dëgjuar, lexuar, e rilexuar disaherë shprehjet e tij pas sulmit barbar në zyrat tona. Sepse nga njëra anë, padiskutim më shkaktonin një emocion të thellë, siç ma shkaktojnë edhe sot, po nga ana tjetër janë një frymëzim i jashtëzakonshëm për mua dhe për këdo ku ndodhemi këtu, në këtë tokë të demokracisë, ku kurrë, asnjëherë pishtari i ndezur nga rinia e Kavajës për liri dhe demokraci nuk është shuajtur.
As në ditët më të errëta ku qyteti, bashkia dhe komunat ranë në dorë të llumit dhe të kriminelëve. Ndaj më vjen mirë që ndodhem mes jush dhe ju shoh, ashtu siç shoh anembanë Shqipërisë që në shpirtrat tuaj, në zemrat tuaja dhe në sytë tuaj, mërzia, dëshpërimi, zhgënjimi i orëve të para, i kanë lënë vend zemërimit për padrejtësinë e 25 prillit, por po kështu vendosmërisë për të vazhduar misionin tonë, mision i cili peshon me gjithë peshën e tij mbi supet e demokratëve, peshë e cila është shumë më e madhe se Partia Demokratike. Sepse është pesha e fateve të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Ndaj më vjen mirë që ju gjej ballëlartë dhe krenar për betejën e kryer përball një mekanizmi, një makinerie të paparë të masakrës zgjedhore që kombinonte në vetvete dogmatizmin dhe urrejtjen patologjike për kundërshtarin politik të regjimit komunist, me harbutërinë dhe poshtërsinë dhe terrorin e regjimit të korruptuar të 2001, dhe bandat, shoqëruesit e pandarë të pushtetit të Edi Ramës si në 2017 dhe akoma më shumë në 2021.
Ndaj dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë sepse nuk ka qenë thjesht një betejë e pabarabartë. Por ka qenë një masakër kapilare zgjedhore ku ditë për ditë dalin e zbulohen fakte, prova e dimensione të reja të kësaj masakre.
Por ajo që kemi arritur së bashku nuk mund të hidhet përtokë, as të bëjmë sikur s’e shikojmë për interesa apo mërira të çastit. Ne kemi arritur bashkimin më të madh të zemrave për shkak të vlerave tona, për shkak të synimeve tona, për shkak të programit tonë. Ne kemi arritur frontin më të madh opozitar në 30 vjet pluralizëm dhe bashkimin më të madh shoqëror me të gjithë grupet e interesit dhe të gjithë qytetarët që është edhe arsyeja sepse regjimi kreu masakrën më të madhe zgjedhore.
Ajo që ka ndodhur me 25 prill nuk është një proces tjetër zgjedhor me disa probleme. Me 25 prill ka rënë perdja e hekurt dhe është asgjësuar instrumenti i vetëm i ndryshimit që kishte mbetur që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka rënë demokracia.
Demokraci do të thotë vullnet i shumicës dhe kur vullneti i shumicës tjetërsohet dhe pakica i mbivendoset me të gjithë mekanizmat, atëherë nuk kemi të bëjmë më me demokraci, atëherë kemi të bëjmë me një regjim. Sepse njësoj si në 91-shin , 25 prilli njësoj si me 31 mars kishte zgjedhje pa zgjidhje.
Pa zgjidhje sepse vullnetit të shumicës për ndryshim, për rotacion, aspiratës dhe shpresës së shumicës së shqiptarëve për të larguar regjimin e 8 viteve dhe për t’i hapur rrugë ndryshimit, iu mbivendos me dhunë dhe me mekanizmat e shtetit të krimit pakica.
Kjo është gjendja që ju e njihni. Tani çështja është kush do ta bëjë këtë punë. Kush përveç nesh e ka forcën për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ka moralin për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ruajti besimin e shqiptarëve për ta çuar deri në fund misionin dhe kërkesat e vullnetin e tyre për ndryshim? Ndaj kemi një detyrim të dyfishtë jo vetëm përpara sakrificës së demokratëve të cilët ju pritë në këtë betejë, por mbi të gjithë para fateve të Shqipërisë, para fateve të shqiptarëve dhe familjeve tyre për ta çuar betejën deri në fund.
Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit. Ne do t’i bindim aleatët tanë për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin. Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës.”, tha Basha.