Skip to content
Aktualitet

Apeli rrëzon kërkesën e mjekut Edvin Prifti, lë në fuqi pezullimin nga detyra

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e mjekut Edvin Prifti për pezullimin e tij nga detyra.  Gjykata la kështu në fuqi vendimin e GJKKO duke e lënë ende të pezulluar dhe të mos i lejuar të ushtrojë profesionin.

Mjeku Edvin Prifti u pezullua nga detyra pasi në zyrën dhe banesën e tij u gjetën shuma të konsiderueshme parash që ngritën dyshimet për shpërdorim detyre.

Emri i mjekut doli në përgjimet për Gjykatën e Krujës, në kuadër të operacionit që vuri në pranga kryetaren e kësaj gjykate, Enkelejda Hoxhën dhe 9 persona të tjerë. Në përgjime rezultonte se mjeku kishte marrë rryshfet nga sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakoçi për t’i operuar nënën pa radhë.

Nga kontrollet në banesën e tij u gjetën 200 mijë euro cash dhe më shumë se 50 mijë euro iu gjetën në zyrë. Më pas SPAK sekuestroi paratë e gjetura dhe më pas kërkoi “Pezullim të ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”

Gjykata mori vendimin për pezullimin nga detyra dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe  Krimit të Organizuar kërkoi arrestimin e tij. Mjeku u la në burg në 13 shkurt me akuzën për pastrim parash.  Ai u lirua më pas nga burgu, por mbeti në fuqi masa e pezullimit nga detyra.