Gazetari Klodian Tomorri ka ngritur një shqetësim mjaft serioz për s ai përket tjetërsimit të pronave shtetërore, duke i kthyer ato në private. Një një postim në Facebook, ai shkruan se falë ligjit të tjetërsimit të pronave, që kaloi në parlament në vitin 2019, po grabitet gjithë bregdeti i Shqipërisë. Tomorri thotë se jo më larg se para dy ditësh, u shitën 55 mijë metra katrorë te Gjiri i Lalzit, me vetëm 1 mijë lekë metrin katror tek bizneset që duan vet. Ndërkohë, pronarët kompesohen me taksat e qytetarëve, por me çmime më të larta.
Postimi i plotë:
“Ligji i tjetërsimit
Në qershor të vitit 2019, Ministria e Financave çoi një projektligj korruptiv në Parlament. Drafti u miratua dhe përmes tij, qeveria i dha të drejtën vetes të tjetërsojë tek privatët pronat shtetërore. Pa ankand, pa tender, por me këtë formën e re që quhej tjetërsim. Një shpikje allasoj, që transferon pronat shtetërore në kufij me pronat private.
Tani përmes atij ligji po grabitet i gjithë bregdeti i Shqipërisë. Jo më larg se para dy ditësh shitën 55 mijë metra katrorë në Gji të Lalzit me 1 mijë lekë metrin katrorë.
Shiko ça i bëjnë njerëzve këta! Ajo është toke shtetërore. Nuk e përdorin për të kompesuar pronarët, por e shesin me 1 mijë lekë metrin katrorë tek bizneset që duan vet.
Pronarët pastaj i kompesojnë me paratë e taksave të qytetarëve, por me çmime disa herë më shumë se kaq. Ose në rastin tjetër, pronarët me të drejtë shkojnë në Strasburg. Strasburgu e detyron qeverinë që t’ia u kompesojë pronarëve me çmime tregu. Domethënë këta kanë ngritur një skemë bli qen dhe shit këlyshë.
Tjetërsojnë toka shtetërore me çmime falas dhe detyrojnë njerëzit të paguajnë qindra milionë euro për të kompesuar pronarët. Kësaj i thonë më dysh.
Kur bënë ligjin thanë që bëhet fjalë për sipërfaqe të vogla shtetërore që janë të papërdorshme, pasi janë në kufij me prona private. Ja sipërfaqja e vogël. 55 mijë metra me 1 mijë lekë metrin katrore”.