Gjykata e Lartë ka hedhur shortin dhe ka caktuar relatorin e çështjes Gërdecit, për padinë e rihapur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Prokurioria e Posaçme është vënë në lëvizje nga trashëgimtarë të viktimës Edison Durdaj, i cili humbi jetën në moshën 7-vjeçare, duke iu drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë për nisjen e procesin gjyqësor.
SPAK ka kërkuar rihapjen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu për shpërthimin tragjik të demontimit të municioneve të Gërdecit më 15 mars 2008. Kërkesa e SPAK i drejtohet Gjykatës së Lartë, e cila në vitin 2009 vendosi të pushojë çështjen penale ndaj z. Mediu për shkak të imunitetit të tij parlamentar.
“Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin proçedural penal,” arsyeton SPAK.
“Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston,” njoftoi SPAK.
Vendimi i organit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për ndjekjen penale të ish-ministrit Mediu erdhi pas depozitimit të kërkesës së prindërve të një viktime 7-vjeçare të ngjarjes tragjike të Gërdecit. Pas kësaj padie mësohet se relatori i çështjes do të jetë gjyqtari Ilir Panda. Çështja do të shqyrtohet nga 3 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.