Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë një të ri i cili dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një vajzë të mitur 13-vjeçare në Selenicë të Vlorës.
Mësohet se në prangat e policisë ka rënë shtetasi me inicialet K.K., 21 vjeç.
“Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K, 21 vjeç, banues në Selenic, pasi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur një shtetase të mitur 13 vjeçare”, bën me dije policia.
Gjithashtu janë proceduar penalisht nga specialistët e Policisë Vlorë, 4 shtetas të cilët kanë dhunuar babë e bir, pas një konflikti për motive të dobëta që ka ndodhur mes tyre.
Mësohet se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Vlorë.
Njoftimi i plotë i Policisë Vlorë
Po nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Vlorë u proceduan penalisht për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim shtetasit A. A.,52 vjeç ,R. A., 22 vjeç, A. Z., 28 vjeç dhe F. I., 30 vjeç, banues në Selenic.
Këta shtetas në datën 28.05.2021, pas një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me grushta shtetasit Y. H. dhe D. H. ( babë dhe bir), banues në Selenicë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.