Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me demokratët e qarkut të Vlorës. Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së tha se mundi dhe sakrifica e demokratëve, nuk do të shkojë dëm.
“Tani siç e dimë ne e di edhe kundërshtari, padiskutim, buza e të cilit nuk qesh dhe manovrat e të cilit kanë vetëm një synim të përçajnë forcën e rritur të Partisë Demokratike, të mbjelli dyshim dhe mosbesim në radhët tona dhe të na bëjë të merremi me veten në vend që të vazhdojmë betejën së bashku.
Pra, kundërshtari ynë e ka të qartë se çfarë do të arrijë. Do që ne të mos vazhdojmë së bashku, do të mos vazhdojmë betëjn e nisur. Ndaj, kërkesa ime e parë është ta konsiderojmë këtë proces të brendshëm si një mundësi pozitive jo vetëm për të komunikuar me njëri-tjetrin, por dhe të na sjellë më afër njëri-tjetrit që të dalim më të bashkuar nga ky proces. Mos t’i japim kënaqësinë kundërshtarit që ky proces i diktuar nga rregullat e brendshme të kthehet në një vegël për ta përdoruar kundër nesh. Përkundrazi të shpalosim vlerat tona më të mira.
Se pavarësisht asaj që thuhet ne jemi partia që bën garë, ne jemi partia që bën debat. Ai ka 12 vjet që s’bën zgjedhje në parti. Kjo është një tjetër vlerë të cilën duhet ta mbajmë e ta çojmë deri në fund ku me 13 qershor pjesëmarrja masive në këtë proces, i cili duhet të zbatohet sipas të gjitha rregullave statutore do të konfirmojë edhe njëherë vlerat tona dhe duhet ta shohim si një tjetër stacion në betejën që vazhdon deri në largimin e regjimit.
Pas 25 prillit, 13 qershori është një moment i rëndësishëm për të treguar që ne që ju dolëm për zot shqiptarëve në momentin më të errët prej kohësh të përballjes së opozitës pa asnjë pushtet me shtetin me të gjitha pushtetet, ne nuk jemi rrëzuar dhe zemëratën tonë jemi gati ta kthejmë në një energji, në një fuqi goditëse për regjimin. Në këtë rrugëtim debati i brendshëm ka vlerë, ka vlerë dhe duhet mirëpritur.
Megjithatë nxitimi apo paqartësia që mund të sundojë zemrat apo mendjet e dikujt, nuk mund të kthehet në arsye për të hedhur poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku. Historia mund të rishkruahet sa herë të duam, por nuk mund të rishkruhet në kurriz të sakrificës së demokratëve.
Betejat që kemi bërë së bashku na kanë bërë më të fortë jo më të dobët. Është e lehtë të gjykosh pas kuvendit apo të bësh trimin pas lufte, e rëndësishme është të marrësh vendimet e duhura për vendin dhe të kesh kurajon t’i zbatosh siç kemi bërë gjatë këtyre 4 viteve të fundit dhe gjatë këtyre 8 viteve përballjen me këtë regjim”, u shpreh Basha.