Dy shqiptarë janë arrestuar në zonën malore të quajtur Mavrovounio, Janinë pasi tentuan të kalonin lëndë narkotike në kufirin me Greqinë. Në prangat e policisë kanë rënë M. L., 41 vjeç dhe A.M., 38 vjeç. Mbi ta rëndon akuza për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”. Gjithashtu një bashkëpunëtor i tyre është shpallur në kërkim nga policia.
Njoftimi i policisë:
Falë bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me Policinë greke parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Policisë Kufitare shqiptare dhe Drejtorisë së Policisë së Janinës, falë shkëmbimit dhe ndjekjes në kohë dhe me profesionalizëm të të dhënave dhe informacioneve që dispononte Policia Kufitare e Kakavijës, nga forcat e Antidrogës në Drejtorinë e Janinës, në zonën malore të quajtur Mavrovounio, Janinë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, i shtetasve shqiptarë M. L., 41 vjeç banues në Durrës dhe A.M., 38 vjeç, banues në Mirditë.
Këta shtetas janë kapur duke transportuar me çanta shpine, një sasi prej 38.3 kg lëndë e dyshuar Cannabis Sativa. Një person i tretë, bashkëpunëtor i këtyre dy shtetasve, është larguar pa u kapur. Policitë e dy vendeve vazhdojnë operacionin për kapjen e tij 🇦🇱🤝🇬🇷