Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka marrë sot dy vendime, për qarkun e Elbasanit dhe për qarkun e Tiranës. Sa i takon Elbasanit, ka miratuar kërkesën e LSI për të trajtuar ankimimet, ndërsa për Tiranën, rrëzoi kërkesat e PD-së dhe Vetëvendosjes, duke lënë në fuqi rezultatin e shpallur të zgjedhjeve nga KQZ.
ELBASAN – Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka miratuar kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike, për të trajtuar ankimimet e tyre, për Qarkun e Elbasanit. “KAS vendos pranimin e kërkesave, për të vazhduar trajtimin e ankimimeve”.
TIRANË – KAS ka rrëzuar kërkesat ankimore të paraqitura nga Partia Demokratike dhe Boiken Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet në qarkun e Tiranës. Dy subjektet kërkuan shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Tiranë, por KAS rrëzoi këto kërkesa dhe la në fuqi rezultatin e vulosur nga KQZ ditë më parë. Tashmë dy subjektet kanë të drejtë të dërgojnë çështjen në Kolegjin Zgjedhor me anë të një ankese.
“Pasi KAS u mblodh në dhomë këshillimi, bazuar në analizën e provave dhe fakteve me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga koalicioni PD-AN, rrëzimin e kërkesës ankimore nga kandidati z.Boiken Abazi, lënien në fuqi të vendimit të KQZ për miratimin e tabelës përmbledhëse për qarkun e Tiranës për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Ky vendim hyn në fuqi. Kundër tij bëhet ankimi në Kolegjin Zgjedhor”, tha Ledio Braho.