Ambasadorja Yurim Kim ka reaguar në lidhje me rastin tronditës të përdhunimit të një 15-vjeçareje në Lezhë nga disa persona. Në një postim në Twitter, Kim shkruan se Ambasada e SHBA-ve iu bashkohet aktivistëve dhe atyre që flasin për të dënuar përdhunimin e vajzës së re. Kim shkruan se përdhunimi është një vepër penale dhe shkelje serioze e të drejtave të njeriut. Ajo thotë se tani prioriteti është që të ketë shërbime sociale dhe shëndetësore për shërimin e vajës dhe gjithashtu drejtësia për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.
“Ne u bashkohemi aktivistëve dhe të tjerëve që flasin për të dënuar përdhunimin e fundit të një vajze të re. Përdhunimi është një vepër penale dhe shkelje serioze e të drejtave të njeriut. Prioriteti tani: 1) shërbime sociale dhe shëndetësore për shërimin e plotë të vajzës, 2) drejtësia. Fundi i dhunës ndaj grave. JO do te thote JO # tinukjevetem”, shkruan Kim.
Përdhunimi i 15-vjeçares në Lezhë, tronditi gjithë vendin, teksa autorët e krimit e kishin shantazhuar atë të kryente marrëdhënie me ta, duke i thënë se do i publikonin video inteime. Rasti shkaktoi protesta të shumta në disa qytete të vendit, me të rinj e aktivistë që kërkonin më shumë reagim nga institucionet shtetërore për ngjarje të tilla të rënda.