Partia Demokratike ka kërkuar në KAS që zgjedhjet në qarkun e Shkodrës të shpallen të pavlefshme dhe të ripërsëriten, kërkesë të cilën KAS ka vendosur të mos e pranojë bazuar në analizën e fakteve të administruara
“Bazuar në analizën e fakteve të administruara, KAS vendosi, rrëzimin e kërkesës ankimore të PD, lënien në fuqi të vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për Qarkun e Shkodrës. Ky vendim hy në fuqi menjëherë, kundër këtij vendimi do të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor, brenda 5 ditëve nga shpallja e këtij vendimi. Seanca e radhës fillon nesër në orën 10:00, me numërimin e QV të kërkuara”, tha anëtari i KAS
Lidhur me kërkesën, përfaqësuesi i PD, Marash Logu tha se Benet Beci i PS, Tom Doshi, Mark Babani dhe Mark Frroku, kishin ngritur në këtë qark një strukturë kriminale të mbledhjes së votave.
“Më datë 9 maj, kemi bërë një kërkesë ankimore. Kemi kërkuar nga KAS mbledhjen e provave të tjera, e jam i sigurt nëse do të ndodhë do të vërtetohet ajo që ne kemi quajtur ‘masakra e 25 prillit’. Kemi parashtruar përpara këtij komisioni, që shtetasit Benet Beci, kandidat për deputet në Shkodër, shtetasi Tom Doshi, kandidat i PSD. Shtetasi Mark Babani, e shteasi Mark Frroku, ish deputet, në bashkëpunim me shtetas të tejrë, kishin ngritur në Qarkun e Shkodrës, një strukturë kriminale të mbledhjes së votave” tha Logu.
Më tej ai shtoi se para komisionit është parashtruar ehde fakti që lejet e legalizimit u përdorën nga PS për vota. Gjithashtu, në Shkodër ka pasur edhe raste të votimit familjar e të votimit të shumëfishtë.
“Kemi parashtruar para këtij komisioni, fakti që lejet e legalizimit dhe ndërtimit u përdorën nga PS. Kemi parashtruar me fakte, që drejtuesit e PS në Shkodër premtonin leje legalizimi, certifikata pronësie. Kemi parashtruar shkelje të rënda, siç ishin karantimi i detyruar i emigrantëve, ku bëhet fjalë për 500 mijë prej tyre. Po ashtu, numër i lartë ka qenë edhe i votave të pavlefshme. Ne kemi parashtruar faktin që edhe në Shkodër pati raste të votimit të shumëfishtë, familjarë, e të tretët. Nëpërmjet teknologjisë kemi parë që 13 persona, janë përdorur për 34 zgjedhësve”, ka thënë përfaqësuesi i PD.
Në përfundim, ai deklaroi se PD kërkon nga KAS shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në Shkodër dhe përsëritjen e tyre.
“Nga ana e këtij komisioni u refuzua kërkesa për marrjen e provave dhe kjo gjë e bën vendimin e mangët, të pacunguar, të paplotë. Në përfundim, kërkojmë nga ana e KAS, që të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun e Shkodrës dhe të kërkohet ripërsëritja e zgjedhjeve në këtë qark”, përfundoi Logu.