Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka takuar stafin e përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk, në spitalin e ri “Memorial” të Fierit, për të cilin ka deklaruar se do të hapet ditën e enjte, pra pas tri ditësh.
“Të gjithë qytetarët e rajonit të jugut, nëpërmjet sistemit të referimit me urgjencën kombëtare do të marrin shërbim të nivelit terciar në këtë spital, por edhe ata të cilët do të referohen nga struktura të tjera, duhet të kalojnë nëpërmjet sistemit të referimit. Ashtu sikurse ndodh për të gjithë spitalet e tjera në vend.
E rëndësishme për të theksuar në këtë fazë, është që edhe rastet e referimit të urgjencës do të bëhen nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës, por edhe rastet e ndërhyrjeve apo ekzaminimeve apo konsultave dhe shtrimeve të planifikuara do të bëhen vetëm me referimin e mjekëve të spitaleve rajonale, spitaleve terciare, apo spitaleve bashkiake kur nuk ofrohen këto shërbime në spitalet rajonale.
Duke qenë se është një spital i nivelit terciar dhe do të jetë vërtet një qender ekselence për këto shërbime. Risia në këtë spital është që do të menaxhohet nga një staf i përbashkët shqiptaro-turk. Është bërë përzgjedhja qoftë e stafit mjekësor, qoftë e stafit infermieror, me një komision ad-hoc të ngritur me prezencën e ekipit turk dhe atij shqiptar.
Por nga ana tjetër ky spital do të vlejë shumë për transferimin e dijes dhe teknologjisë. Dhe për këtë arsye kanë mbërritur në këtë fundjavë, edhe një ekip i mjekëve që do të organizojnë punën sipas shërbimeve të përcaktuara”, deklaroi ministrja Manastirliu.