Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për prova shtesë për Durrësin. Edvin Kulluri në arsyetimin e tij lidhur me marrjen e këtij vendimi është shprehur se subjekti ankimues nuk ka bërë përpjekjet minimale për të siguruar 0paraprakisht provat , ashtu si e parashikon edhe neni.
“KAS u konsultua për kërkesën ankimore të PD mbështetur edhe nga LSI për të marrë provat sipas listës që u citua. Me shumicë votash, KAS rrëzoi kërkesës për marrjen e këtyre provave, përveç dy provave që janë kërkuar nga dy anëtarët në mënyrë të posaçme sipas një të drejtë që ju jep kodi.
Subjekti ankues kërkoi që të merrte në cilësinë e provës 19 informacione specifike nga institucione të ndryshme që veprojnë në territor. Subjekti ankues nuk ka bërë një përpjekje për të siguruar paraprakisht provat sic e parashikon neni”, tha relatori Edvin Kulluri
Kujtojmë se Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve u mblodh ditën e sotme në orën 10:00, për të shqyrtuar kërkesën ankimore të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun e Durrësit.
Aleanca PD-AN ka kërkuar rivotim në të gjithë qarkun e Durrësit, duke shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që LSI nga ana tjetër ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave. KAS më herët ka shqyrtuar ankimimet për qarkun e Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës.