Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani ka deklaruar se ende nuk kanë një emër të zyrtarizuar nga “Grupi për PD-në”, për sa i përket garës për kryetar të kësaj partie. Ai ka thënë se nuk janë të kufizuar dhe se gjithsecili që e ndjen veten të përfshirë mund të marrin pjesë. Nishani ka shtuar se do të dëshironin që në këtë garë të mbështesnin ata kandidatë që përkojnë me atë që PD-ja ka vërtet nevojë.
“Ende nuk kemi një vendim përfundimtar. Jemi një grupim që po diskutojmë. Gjithsecili që e ndjen veten të përfshirë në një garë, ne nuk jemi për të kufizuar kandidaturat. Por, do të dëshironim që në këtë garë të mbështesim, ata kandidatë që përkojnë më atë që ka nevojë PD-ja”, u shpreh ai.
Teksa përjashtoi veten e tij nga kjo garë, ai tha se edhe Fatbardh Kadilli është figurë që meriton të kandidojë për kryetar të PD-së.
“Patjetër e mbështes në të drejtën e tij për të kandiduar, por cili do të jetë personi që unë do të votoj, duhet të shohë se cilët janë të gjithë kandidatët dhe pastaj të vendos”, përfundoi z.Nishani.
Nishani u shpreh në Euroneës Albania se kjo parti ndodhet në një krizë shumë më të madhe sesa çështja e formalizmit të një gare (për kryetar partie), e cila sipas tij duket që nuk do të jetë garë.
Z.Nishani nënvizoi se Partia Demokratike duhet të bëjë një analizë në terren aty ku u zhvillua beteja.
“PD nuk e zgjidh situatën e ardhur dhe që u demonstrua me rezultatin e 25 prillit vetëm me analizë. PD duhet të hyjë në një rrugë të lartë transformimi”, theksoi ai.
“Zgjedhja e kryetarit duhet të vijë pas disa reflektimesh”, shtoi ai më tej. Ndërkohë, Nishani e cilësoi garën për kryetar të PD-së si një farsë kalimare.
“Është projektuar një farsë kalimtare, e cila jo vetëm që nuk e fut PD procesin e zgjidhjes së krizës shumë të rëndë që ka përfshirë këtë parti, por bën të kundërtën”, u shpreh ai.
Ai theksoi se kryetari aktual, Lulzim Basha pëcakton se kush do të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve. “Kriteret janë formale. Fakti thelbësor është që kryetari i partisë përcakton se cilat janë kriteret, përcakton se kush është komisioni që do të gjykojë këto kritere, përcakton se kush është komisioni që do të vlerësojë kandidatët, përcakton datën, përcakton afatin e fushatës, kryetari përcakton se kush do të jetë fituesi”, tha ai.